Rama shpërthen ndaj rektorëve e dekanëve: Autonomia e parakohshme

Pasditen e sotme, Kryeministri Rama mblodhi në ambientet e godinës së Ministrisë së Arsimit rektorët dhe dekanët e universiteteve për të diskutuar në lidhje me kërkesat e studentëve dhe jo vetëm.

Rama u tregua i ashpër që në fillim me rektorët e dekanët, duke u thënë se ishin të vetmit ata që nuk kanë pasur asnjë reagim që prej nisjes së protestave të studentëve edhe pse një pjesë e mirë e kërkesave të tyre i takojnë universiteteve.

“I kam parë të gjithë të përfshihen në këtë çështje, por askush nga ju nuk është dukur asgjëkund. Ju jeni të zgjedhur nga radhët e universitetit dhe patjetër që nuk merrni urdhra nga qeveria, por kjo është një çudi për mua, të cilën dua të shpreh edhe publikisht. Nëse nisemi nga 8 pikat që studentët kanë kërkuar, një pjesë jo e vogël e tyre i takojnë universitetit, ju takojnë juve si përfaqësues të universitetit. Më vjen mirë që në dy ditët e fundit disa senate janë vënë në lëvizje, por më vjen keq që kanë publikuar deklarata hipokrizie dhe që nuk adresojnë themelin e çështjes. Nuk po hyj në aspektin tjetër të procesit, që është shqetësimi më i madh, por që nuk përfshihet në 8 pikat, që lidhet me frustimin e tmerrshëm që kanë studentët në lidhje me korrupsionin në universitet”

Edi Rama

Më tej, Rama theksoi se protesta nisi pas vendosjes së tarifës për provimet e mbartura, për të cilën kryeministri tha se vendimi është marr pa u bërë publik.

“Protesta nisi me një shkak konkret lidhur me një tarifë. Tani, tarifa e provimeve të mbartura është e kërkuara nga ju dhe ju nuk mund ta mohoni dhe nuk mund të bëni sikur e keni harruar. Ministrja e Arsimit ka kërkuar konsensus mes jush. Nuk hyj në meritën e atij vendimi, por një gjë është e sigurt se ai vendim i marr në maj nuk ka qenë i ditur për studentët dhe është njësoj sikur Parlamenti të kalojë një buxhet dhe detyrimet e qytetarëve të mos bëhen të ditura”.

Edi Rama

Rama shkoi edhe më tej, duke thënë se ndoshta autonomia e universiteteve ishte e parakohshme. “Duhet ta rishikojmë autonominë universitare, mbase ka qenë e parakohshme, e nxituar. QË e bën rektorin, dekanin krejtësisht të pavarur dhe të paprekshëm nga qeveria”, tha Rama.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN