Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Trajneri Prenga nis zyrtarisht punën te Laçi

Nga A2 CNN
13 Dhjetor 2018, 22:27 | Futboll

Me Besnik Prengën në stol, Laçi realizoi atë që u cilësua “ëndrra e një nate vere”, kalim i turit të parë në Europa League përballë një emri me peshë, si qipriotët e Anorthosis. Arritje, e cila dukej e pamundur. Trajneri u rikthye te bardhezinjtë, për të dytën herë, pasi mbylli kontratën me kroatët e Lokomotivës së Zagrebit.

“Kur u largova nga Laçi, e thashë që ndoshta do të ketë një rikthim. Nuk e mendoja që do të ishte kaq e shpejtë, por gjithmonë, me kënaqësi, do ta pranoja ftesën, kështu që dhe tani e pranova. E di se pritshmëria është e madhe dhe ditët janë pak. E di se ku kam ardhur, pasi e njoh ekipin dhe i njoh çunat. Do mundohem të marr 100% nga ekipi, pavarësisht se nuk ka kohë”, u shpreh Besnik Prenga, trajner i Laçit.

Trajneri Besnik Prenga

Prenga zëvendësoi Migen Memellin, ndërsa më parë nga stoli ishte larguar edhe Artan Mërgjyshi. Lëvizja erdhi pas ecurisë së ekipit, që është larguar nga zona e Kupave të Europës, edhe pse trajneri i ri kërkon të mbyllë gjysmën e parë të edicionit dhe më pas të vendosë objektiva.

“Kam kohë vetëm 9 ditë për dy ndeshje. Nuk më ka thënë njeri për objektiva, kam ardhur të marr maksimumin në këto dy ndeshje. Më pas do të flasim për objektivat, merkaton, apo çdo gjë tjetër. Momentalisht mendoj vetëm për ndeshjen me Tiranën, të karikohemi për këtë ndeshje dhe jam i sigurt që djersa do të jetë e madhe dhe rezultati do të jetë në favorin tone”, tha Prenga.

Laçi luan të shtunën me Tiranën dhe kërkon fitoren e tretë me radhë në shtëpi.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani