Uldedaj, një shqiptar drejt titullit botëror

Një titull botëror, një duel i jashtëzakonshëm dhe shansi i rrallë për të parë një shqiptar me brezin e kampionit të botës. Sfida ndërmjet boksierit Jurgen Uldedaj dhe argjentinasit Nikolas Arganjarath, ku në lojë është titulli për të rinj në versionin WBO cilësohet një përballje që premton spektakël në ring dhe meriton vëmendje ndërkombëtare.

Për një duel të këtyre përmasave që vjen në Shqipëri, organizimi ishte nga ata që meritojnë kampionët e mëdhenj, me dy rivalët të cilët zhvilluan demostrimet te qendra tregtare, Toptani Shopping Center, duke tërhequr vëmendjen e tifozëve. Të mëdhenj e të vegjël, të gjithë me sytë nga boksierët në ring, me shpresën se21-vjeçari Uldedaj do të triumfojë.

Kjo është hera e parë që djaloshi nga Lezha do të duelojë për një titull të rëndësishëm dhe këtë do ta bëjë pikërisht në vendin e tij, ku publiku do të ketë një rol mjaft të rëndësishëm për motivimin e Uldedajt.

Argjentinasi Arganjarath është një rival për t’u vlerësuar, dhe përveç forcës fizike ka një ecuri pa pësuar humbje. Përpos vlerësimeve për kundërshtarin, trajneri i boksierit shqiptar, është optimist drejt suksesit.

“Mendoj sekundërshtari është një bokser I mirë dhe nuk ka pësuar humbje në shtatë duele, ai është I fortë, por mendoj se Jurgeni është gati dhe shpresoj që do të fitojë dhe titulli botëror të jetë për Shqipërinë”.

Dirk Dzemski, trajner i Jurgen Uldedajt

Dueli për titullin botëror WBO për të rinj në kategorinë “Cruiser” do të zhvillohet këtë të shtunë në Parkun Olimpik të Tiranës, në një mbrëmje spektakli në ring, ku përveç sfidës për titull do të zhvillohen edhe 8 duele të tjera.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN