Benzema shënon dhe “bën me zemër” Realin para Botërorit të Klubeve

Karim Benzema shënoi golin e vetëm në fitoren e Real Madrid kundër Rayo Vallecano, që ishte edhe e treta rresht për klubin kryeqytetas.

Francezi shënoi që në minutën e 13 për të siguruar një fitore që mund të zbusë sadopak turpërimin e mesjavës, ku Real u mund 3-0 nga CSKA e Moskës në Champions League, edhe pse ishte kualifikuar. Marco Asensio kishte disa mundësi për të vulosur rezultatin, por në fund vendimtar u tregua Thibaut Courtois i cili bëri disa pritje në kohën shtesë për të ruajtur fitoren për skuadrën e Santiago Solarit.

Madrilenët tani nisen për në Emiratet e Bashkuara Arabe me dy pikë më pak se Barcelona në renditje që të dielën viziton Levanten. Të mërkurën, Real do të përballet me japonezët e Kashima në Abu Dhabi, për gjysmëfinalen e Botërorit të Klubeve, ndërsa ndeshjen e ardhshme në kampionat e luan kundër Villarreal më 3 janar.

Përtej fitores, shqetësimi më i madh tani në “Bernabeu” është gjendja e autorit të golit, Benzema, i cili u dëmtua në minutën e 76 dhe u zëvendësua nga Vinicius.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN