Mblidhet kuvendi kombëtar i PD, Basha “hap dyert” për mendimin kritik

Kuvendi Kombëtar i PD, i cili voton për të zgjedhur Këshillin e ri Kombëtar, u mblodh në mesin e kritikave ndaj Lulzim Bashës për lënien jashtë të emrave të rëndësishëm si Astrit Patozi, Majlinda Bregu, Arben Imami, Genc Ruli apo Ridvan Bode.

Ndërkohë, gjatë dites pati tërheqje nga gara të kandidateve kritikë në listë, si Edit Harxhi, Arben Seferi apo Valbona Mezini. Për kritikët, Basha kishte një përgjigje.

“Pa mendim kritik, nuk mund të ketë Parti Demokratike. Të gjithë ata që duan të kontribuojnë në Partinë Demokratike nuk kanë nevojë që të jenë dakord me gjithçka që bën Partia Demokratike, por janë të mirëpritur njëlloj, që të jenë pjesë e saj. Për të gjithë ata unë kam vetëm një ftesë, ejani, bëhuni pjesë nga afër, të gjitha dyert do të jenë të hapura”.

Lulzim Basha, Kryetar i Partisë Demokratike

Basha i bëri jehonë protestave të 10 muajve të fundit, nga ajo kundër teatri kombëtar tek protesta e studenteve, por refuzoi kërkesat që PD të organizojë protesta masive qoftë edhe të dhunshme për të ardhur ne pushtet.

“Sfidat që kemi përpara janë të mëdha, por vullneti dhe vendosmëria jonë po ashtu. Ne i kemi kapacitetet, i kemi mundësitë. Kemi vlerat, projektin, vendosmërinë, ndaj le të nisim sot, nga ky kuvend, për çdo shqiptar, lajmin që orët e errësirës po numërohen mbrapsht”.

Lulzim Basha, Kryetar i Partisë Demokratike

Diferenca jo vetëm mes vizionit që kanë demokratët për qeverisjen, por edhe organizmin e brendshëm të partisë, zuri një pjesë të konsiderueshme të fjalimit të Bashës, i cili prezantoi edhe platformën me të cilën demokratët do zgjedhin kandidatët e ardhshëm për deputetë dhe kryebashkiakë.

“Në muajt e ardhshëm, PD do të vendosë një tjetër standard të ri për politikën shqiptare. Ne do të prezantojmë zgjedhjet primare brenda partisë. Demokratët do të votojnë për zgjedhjet e kandidatëve për postet publike, përfshirë deputetët dhe kryetarët e bashkive”.
Lulzim Basha, Kryetar i Partisë Demokratike

Pas fjalimit të Bashës, paralelisht nisi edhe procesi i votimit në hollin e Pallatit të Kongreseve. Duket se jo të gjithë delegatët kishin durimin të prisnin në radhë në kutitë e votimit. Një pjesë e tyre u panë të plotësonin fletën e votimit edhe jashtë dhomës së fshehtë. Kryetari i Komisionit për Porcesin eVoitmit, Jemin Gjana tërhoqi disa herë vërejtje për të respektuar rregulloren.

Asnjë zë kritik nuk u dëgjua ne foltoren e Kuvendit Kombëtar. Megjithatë lista e kandidatëve prodhoi emra surprizë, si ai Gazmend Oketa i Aleksnadër Biberaj dhe, themelues të Frymës së Re Demokratike të Bamir Topit.

Ky i fundit, në përgjigje të A2 News, thotë se ftesa për rikthim në PD erdhi nga vetë kryetari Basha.

“Unë nuk e kam ndërprerë asnjëherë komunikimin me Partinë Demokratike, me zotin Basha kemi pasur gjithmonë një bashkëpunim të shkëlqyer dhe përfitoj nga rasti për ta falënderuar, pasi ishte ftesa e zotit Basha që unë u bëra pjesë e listës për zgjedhjet e këshillit kombëtar të Partisë Demokratike. Mendoj që kur partia është në opozitë ka nevojë për kontributin e të gjithëve, sepse opozita e sotme është qeverisja e nesërme dhe natyrisht ka nevojë për kontributin e të gjithë qytetarëve për të ndryshuar realitetin”.

Aleksandër Biberaj

Këshilli i ri kombëtar pritet të mësohet të dielën dhe më tej është ky këshill që do të zgjedhë kryesinë e re të partisë, sekretariatin dhe nënkryetaret e PD. Proces ky, që do të pritet me ankth nga aspirantët ditët në vijim, të cilët sytë i kanë nga kryetari dhe nga vota e anëtareve të këshillit të ri.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN