Mjafton Icardi dhe VAR, Inter buzëqesh pas një jave të hidhur

Ka mjaftuar një gol i Mauro Icardit me 11-metërsh që Interi të fitojë kundër Udineses në ndeshjen e parë të javës XVI të Serie A, për t’i rikthyer buzëqeshjen pas një jave të hidhur kur zikaltrit u eliminuan që nga faza e grupeve të Champions League.

Argjentinasi shënoi në minutën e 76’ duke dërguar topin në krah të kundërt me portierin e friulanëve. Lojtarët e Interit kërkuan penallti për një prekje të topit me dorë nga ana e Fofanas në zonë, por u desh ndërhyrja e sistemit VAR që gjyqtari Rosario Abisso ta akordonte atë.

Më parë ishte po Icardi që humbi një rast tepër të mirë për të shënuar, ndërsa në fund kapitenit interist iu mohua edhe një tjetër gol për pozicion jashtë loje.

Në fund, tri pikë të rëndësishme për skuadrën e Spalettit jo vetëm për moral, por edhe për të mbajtur ritmin e Napolit të vendit të dytë, që nesër luan në Cagliari.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN