Kuvendi Kombëtar i PD, Basha: Nevojitet një brez i ri. Rinia flaki plogështinë

Rreth orës 11:00 të ditës së sotme ka nisur Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, i cili do t’i hapë rrugë zgjedhjes së ekipit të ri të kësaj partie.

Në një fjalën e tij, kreu i PD, Lulzim Basha u shpreh se prej të paktën një shekulli, politika ka qenë e keqja mes shqiptarëve.

“Politika ka qenë më shpesh pengesë se shtytje për përparim ka qenë më shpesh ndarje se sa bashkim, ka qenë një mjet në duart e disave për të grabitur dhe sunduar gjithë shqiptarët tjerë. Sot, ne kemi nevojë për një politikë perëndimore, një politikë në shërbim të njerëzve dhe të kombit, për veprime të vërteta jo për parulla dhe predikime sipërfaqësore dhe për fjalë në erë. Kjo nuk është e lehtë, por as e pamundur”, tha Basha.

Më tej, kreu demokrat theksoi se tashmë nevojitet një brez i ri politik. “Duhet një elitë e re e vendit, e aftë për këtë aspiratë ndryshimi të shqiptarëve. Ndaj detyra morale dhe fitorja më e madhe për brezin e sotëm politik, është ndalja e së keqes që ka pllakosur vendin dhe përgatitja e kalimit të politikës në duart e një elite të re”.

Basha foli edhe për protestat e ditëve të fundit. Ai tha se rinia ka flakur plogështinë. “Mirënjohje atyre që protestojnë. Rinia ka flakur plogështinë dhe duket se do të jetë në lartësinë e kohës”, tha Basha.

Një ditë më parë u bë publike edhe lista me 350 kandidatët për këtë këshill, ku binin në sy rikthimet e Gazmend Oketës dhe të Aleksandër Biberajt.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN