Prenga, rikthim i lumtur te Laçi. Tirana largohet kokulur

Fitorja me Kastriotin ishte një rastësi. Tirana rikthehet te rezultatet negative duke u mundur në Laç 2-1. Krubinasit shënojnë dy herë që në pjesën e parë për të vulosur tri pikët, ndërsa bardheblutë edhe pse ngushtojnë diferencën nuk arrijnë të marrin qoftë edhe një pikë.

Laçi, me Besnik Prengën të rikthyer në stol, kalon në epërsi pas vetëm çerek ore lojë, kur Shtubina godet i qetë me kokë pas një krosimi të Xhixhës në shtyllën e dytë. Shkodrani ka sërish një mundësi të mirë vetëm pesë minuta më vonë, por edhe pse rrëzohet në zonë, për gjyqtarin Ardian Beqiri gjithçka ishte e rregullt. Në të 25’, vendasit dyfishojnë avantazhin falë një aksione personal të Fangajt, i cili lihet çuditërisht i lirë nga mbrojtësit kundërshtarë dhe dërgon me qetësi topin në rrjetë.

Tirana përpiqet të reagojë dhe dhjetë minuta nga fundi i pjesës së parë Blazevski godet traversën, edhe pse ishte i vetëm përballë portierit Selmani.

Pjesën e dytë Mema e nis me dy ndryshime, duke larguar Dokën dhe Karabecin për të futur Ngo dhe Kërçikun. Ndryshimet sjellin pak freski në lojën e miqve. Fillimisht Greca shënon në pozicion të parregullt, ndërsa në të 73’ shkurton diferencën me Hasanin, i cili tregohet i saktë duke kapur topin e devijuar të Selmanit pas gjuajtjes fillestare të Ngo.

Por minutat e mbetura janë shumë pak për të ndryshuar rezultatin, duke rikthyer Tiranën te humbja, ndërsa Laçin në gjysmën e parë të klasifikimit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN