Uldedaj nuk njeh humbje, kampion bote për versionin WBO

Jurgen Uldedaj u shpall kampion botë për kategorinë “cruiseer weight” të versionit WBO Junior, duke mundur me pikë pas 10 raundesh argjentinasin Nicolas Leandro Arganaraz.

Uldedaj ishte dominues në pjesën më të madhe të raundeve duke i dhënë disa goditje të forta me të majtën e tij kundërshtarit, ndërsa ai mundi vetëm të kundërpërgjigjej me goditje në trup që në pjesën më të madhe nuk e shqetësuan lezhjanin.

Në parkun olimpik “Feti Borova” boksieri shqiptar ruajti pathyeshmërinë e tij, duke fituar ndeshjen e dhjetë nga dhjetë të luajtura.

Ashtu si në peshimet zyrtare, të dy boksierët kanë provokuar njëri-tjetrin në ring, duke e bërë edhe më interesante ndeshjen që tërhoqi interesin e tifozëve të shumtë.

“Synimi im është që të arrij të fitoj titullin kampion për të rritur dhe kjo fitore ishte një hap për të arritur aty”, tha Uldedaj pas ndeshjes. “Ishte një ndeshje e vërtetë dhe e luftuar, fitoren ia kushtoj veçanërisht dy personave shumë të rëndësishëm, babait dhe xhaxhit tim”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN