Vuçiç kërkon mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se ka kërkuar mbledhje emergjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për shkak të vendimit të Parlamentit të Kosovës për themelimin e Ushtrisë.

Pasi qëndroi në afërsi te kufirit me Kosovën për të vizituar trupat e tij, kreu i shtetit serb tha se votimi i së premtes ishte në kundërshtim më rezolutën 1244 dhe kritikoi ashpër Shtetet e Bashkuara e Gjermaninë për mbështetjen që i ofruan Kosovës.

“Jam i gatshëm që si president të shkoj në Këshillin e Sigurimit dhe shpresoj që ‘të mëdhenjtë’ e botës që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nuk do t’ia shkurtojnë mundësinë një Serbie të vogël që të thotë faktet se si shkelet e drejta në Ballkanin Perëndimorë dhe çfarë rreziqesh kanë prodhuar me vendimet e tyre”, tha Presidenti i Serbisë.

Vuçiç shtoi se vendimi është në kundërshtim me frymën e bisedimeve dhe se shqiptarët e të gjithë ata që e kanë mbështetur, kanë rrezikuar paqen dhe sigurinë në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti serb ritheksoi gjithashtu se nuk do të ketë bisedime derisa Kosova të tërheqë tarifat prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN