Basha: Projekti i “Unazës”, krim shtetëror

Banorët e Astirit protestuan sërish sot, duke u shprehur të vendosur për mos lejimin e shembjes së banesave të tyre. Protestës iu bashkua edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili tha se projekti i Unazës se Madhe “është një krim shtetëror”.

“Janë të përfshirë nga i pari tek i fundit dhe të jeni të bindur që i vetmi njeri që mund të garantojë dhe koordinojë një vjedhje të tillë, të detyrojë gjithë këto organe shtetërore, ministrinë e Brendshme, të Financave, të Infrastrukturës, Bashkinë e Tiranës, të kryejnë veprime të tilla pa asnjë transparencë, pa asnjë konsulencë, është Edi Rama. Ai është drejtpërdrejt i përfshirë në këtë aferë”, tha Basha.

Kryetari i PD nuk kurseu akuzat as kundër prokurores së përgjithshme të përkohshme. “Që prej një viti, Edi Rama ka kapur prokurorinë me Arta Markun, e cila ka gjashtë javë që hesht. Është e njëjta Arta Marku që urdhëroi arrestimin dhe burgosjen e kuksianëve”, shtoi Basha.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN