Legjenda Krasniqi: Pashë një dyluftim si rrallë herë, Uldedaj do të arrijë titullin e madh

Ringu vazhdon t’i dhurojë emocione edhe një legjende si Luan Krasniqi, i cili ishte dje një prej mbështetësve me të mëdhenj të Jurgen Uldedajt në duelin për titullin botëror.

Ish-kampioni i Evropës dhe ish-mbajtësi i brezit WBO Continental vlerëson yllin e ri shqiptar, beson se të tjerë boksierë do të arrijnë të ndjekin gjurmët e tij, ndërsa përshëndet edhe formimin e ushtrisë së Kosovës.

Boksieri 47-vjeçari u shfaq mjaft emocional pranë ringut, duke i dhënë Jurgen Uldedaj-t vazhdimisht këshilla, ndërsa nuk i kurseu elozhet pas suksesit të djaloshit nga Lezha.

Luan Kraniqi ndjek plot pasion ndeshjen e Uldedajt

“Ka kohë që nuk kisha parë një dyluftim kaq të pastër. Ka një vlerë sportive të madhe ky boks. Jurgeni do të arrijë të bëhet kampioni i vërtetë i botës dhe kjo ishte një parapërgatitje”, u shpreh Krasniqi për A2.

Shqipëria vazhdon të promovojë yje të ringut, dhe ish-kampionin e Evropës dhe ish-kampion i versionit WBO në versionin Continental beson se të tjerë boksierë do të arrijnë të ecin në gjurmët e tij.

“A do të ketë Luanë Krasniqi të tjerë? Sot e pamë njërin dhe besoj se kemi edhe shumë të tjerë, por koha do të na e tregojë. Duhet të përqendrohemi tani të shohim karrierën e Jurgenit”, vazhdon modest ish kampioni.

Në fund nuk mund të mungojë edhe një përshëndetje për Shtetin e Kosovës, që prej kësaj fundjave ka ushtrinë e saj.

“Është një kënaqësi për Kosovën. Çdo shtet sovran duhet ta ketë ushtrinë e vetë, është e drejtë e jona. Shumë suksese Kosovës dhe kjo është diçka e mirë”, përfundon Krasniqi, duke iu bashkuar festës për Uldedajn.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN