Messi nuk ndryshon kurrë, Barcelona i jep një “shuplakë” ndjekësve

Sevilla, Atletico dhe Real Madrid fituan të gjitha këtë fundjavë, duke iu afruar Barcelonës në krye të renditjes. Por katalanasit dhanë një përgjigje të fortë të dielën në mbrëmje, duke shkatërruar 5-0 Levanten, për të mbetur përsëri të vetëm në krye të kampionatit spanjoll.

Serinë e golave e hapi Luis Suarez, i cili shënoi në të 35’ nga brenda zonës pas një topi fantastik të Leo Messit. Argjentinasi më pas shndërrohet në protagonistin e mbrëmjes pasi realizon tre gola për të fundosur kundërshtarët.

Dy minuta nga fundi i pjesës së parë numri 10 përfiton nga një pasim i shkëlqyer i Sergio Busquets dhe i vetëm përballë portierit kundërshtar nuk gabon. Kapitenit i mjaftojnë tre minuta nga pjesa e dytë për të shënuar përsëri, këtë herë me pasimin e Jordi Albas, duke realizuar në hyrje të zonës.

Në të 60’ është radha e Arturo Vidal për të dhënë një asist për yllin e futbollit botëror, i cili nga fare pranë portës nuk e ka problem të shënojë golin e tretë personal dhe të katërtin për të mbyllur përfundimisht llogaritë me Levanten, që mbetet edhe me dhjetë vetë pas daljes me të kuqe të Erick Cabaco. Dy minuta nga fundi shënon edhe Gerard Pique për të plotësuar “manitan”.

Barcelona shkon kështu në kuotën e 34 pikëve, 3 më shumë se Sevilla dhe Atletico. Ndërsa Real Madrid mbyll zonën “Champions” me 29 pikë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN