Shaqiri fundos Mourinhon, Liverpool sërish në vend të parë

Një gol nga Sadio Mane dhe dy të tjerë nga Xherdan Shaqiri i dhanë fitoren 3-1 Liverpool-it kundër Manchester United, në një ndeshje tepër emocionuese në “Anfield”. Tri pikët rikthejnë Reds-at në vend të parë në renditjen e Premier League, ndërsa skuadra e Jose Mourinhos mbetet në vend të gjashtë e shkëputur zona Champions.

Mane realizoi golin e parë në të 24’, pasi shfrytëzoi më së miri një pasim të Fabinhos duke mos i dhënë asnjë mundësi De Geas. United barazoi me Jesse Lingard, falë edhe një gafe të Alisson Becker, të cilit i iku topi nga duart. Portieri i Liverpool, i blerë për 70 milionë euro këtë verë, ka bërë deri tani 2 gafa që kanë sjellë gola për kundërshtarin, po aq sa bënë Simon Mignolet dhe Loris Karius së bashku në sezonin 2017-2018.

Liverpool u rikthye në epërsi në pjesën e dytë kur Shaqiri u gjet në pozicion të volitshëm brenda zonës së United në të 73’ dhe nuk e pati të vështirë të dërgonte topin në rrjetë falë edhe një devijimi. 7 minuta më vonë ishte përsëri mesfushori me origjinë shqiptare që do të vuloste fitoren e Liverpool, me një gjuajtja të bukur në hyrje të zonës, përsëri të devijuar.

Një mbrëmje për t’u harruar për Jose Mourinhon, skuadra e të cilit ka pësuar tashmë 28 gola në kampionat, po aq sa kishte pësuar gjatë gjithë sezonit të kaluar.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN