Teuta nuk është më surprizë, ngjitet në vend të dytë

Teuta mundi 4-0 Kastriotin në ndeshjen e parë të së dielës në Kategorinë Superiore, duke i ngjitur kështu në vend të dytë në renditje, vetëm katër pikë pas Partizanit kryesues dhe një pikë para Kukësit.

Durrsakët shënuan katër herë në Krujë, me dy gola në minutat shtesë, kundër një skuadre që e ka vulosur prej disa javësh fatin e saj për të rënë nga kategoria.

Serinë e golave e hapi Kallaku në të 33’, i cili mposhti portierin kundërshtar me një gjuajtje nga brenda zonës. Miqtë patën disa raste të tjera në pjesën e parë, por goli i dytë dhe i qetësisë erdhi vetëm në të 67’. Kur Progni, me kokë, dërgoi topin në rrjetë pas një krosimi në zonë nga Hakaj.

Në minutat shtesë skuadra e Bledi Shkëmbit shënoi edhe dy herë të tjera me anë të Latif dhe Vecajt, për të mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme ditën.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN