Merr jetë liga profesioniste e futbollit

Zhvillim historik në futbollin shqiptar. Dhjetë klubet elitare në vend firmosën për krijimin e Ligës Profesioniste të Futbollit.

Pas afro një viti e gjysmë negociata, bisedime dhe këshillimesh me skuadrat, më në fund u hodh hapi përfundimtar, i cili i jep jetë institucionit të ri, i cili do të ketë ekskluzivitetin dhe detyrën e organizimit të Superligës Shqiptare.

Pas takimit në ambientet e Federatës së Futbollit, klubet vendosën themelet e Ligës Profesioniste, madje zgjodhën si kryetar edhe Zv.Presidentin e FSHF-së, Edvin Libohova. Kjo edhe për faktin se një prej kushteve të klubeve për këtë post ishte emërimi i një figure të paanshme, i cili nuk ka konflikt interesi dhe me profil profesional.

“Prej kohësh kemi diskutuar me ekipet e Superligës për të krijuar ligën profesioniste. Qëllimi i saj është që brenda këtij grupimi të gjenden rregulla dhe forma organizimi që të ndihmojmë më shumë garën, sidomos për të rritur edhe pavarësinë organizative dhe financiare të klubeve”.

Edvin Libohova, Kryetar i Ligës së Futbollit

Misionet e Ligës lidhen me aspektin sportiv, atë të imazhit, pjesëmarrje në vendimmarrje në komisionet e ndryshme që lidhen në mënyrë direkte me kampionatin, por dhe rritja e të ardhurave për klubet.

“Një pjesë e klubeve kanë probleme dhe ne, sigurisht që do të jetë një nga prioritetet që liga do të ketë për të sistemuar financat e klubeve, për t’i forcuar ato, për të gjetur rrugë se si të jenë më efektive në drjetimin e klubeve. Jo thjesht për të luajtur futboll, por të luash futboll edhe me kushte sa më të mira, jo vetëm teknike, por edhe financiare”.

Edvin Libohova, Kryetar i Ligës së Futbollit

Zoti Libohova ka qenë personi përgjegjës në federatë për krijimin e Ligës Profesioniste. i propozuar nga disa klube, ai ishte kandidat i vetëm dhe mori mbështetjen unanime të 10 skuadrave elitare.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN