Shorti i Champions: Shaqiri kundër Bayern Munchen

Është hedhur sot në Nyon të Zvicrës shorti i fazës së 1/8-ave të Champions League, ku spikat sfida mes Liverpool e Bayern Munchen. Një sfidë e veçantë për njeriun e momentit te Liverpool, Xherdan Shaqiri, i cili do të luajë kundër ish-skuadrës së tij.

Edhe Jurgen Klopp rigjen Bayern, skuadrën që e mundi me Dortmundin në finalen e vitit 2013, por që e ka mposhtur disa herë në kampionatin gjerman.

Hera e fundit që Bayern dhe Liverpool janë ndeshur ka qenë për Superkupën e Europës në vitin 2001 në Monaco, të fituar nga Liverpool 3-2.

Ndeshje e fortë do të jetë pa diskutim edhe ajo mes Atletico Madrid dhe Juventus, ndërsa Manchester United, që nuk po kalon një moment të mirë në Premier League, do të përballet me kampionët francezë të Paris SG.

Më bujar është treguar shorti me Manchester Cityn, duke e vënë përballë gjermanëve të Schalke 04, ndërsa Tottenham-Borussia Dortmund premton të jetë një sfidë emocionuese. Barcelona do të ndeshet me Lyon, në një sfidë ku është dukshëm favorite, ndërsa Real Madrid gjen Ajax-in, një skuadër me talente që bëri mjaft mirë në fazën e grupeve. Roma – Porto është ndoshta sfida me më pak shkëlqim por jo më pak tërheqëse.

Përballjet e fazës së 1/8-ave
Schalke – Manchester City
Atletico Madrid – Juventus
Manchester United – Paris SG
Tottenham – Borussia Dortmund
Lyon – Barcelona
Roma – Porto
Ajax – Real Madrid
Liverpool – Bayern

Shkarkoni aplikacionin e A2