Thaçi në OKB: Ushtria legjitime, ëndërroj serbë dhe kosovarë në misione paqeruajtëse

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka folur sot në Nju Jork, i ftuar të raportojë në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të thirrur me urgjencë nga Serbia dhe Rusia, lidhur me transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në forca të mirëfillta të armatosura.

Për presidentin e Kosovës, “themelimi i ushtrisë së Kosovës është vendim i drejtë”, dhe i vetmi gabim i Prishtinës zyrtare ka qenë që “ka pritur pa nevojë 5 vite’’ për themelimin e saj.

Thaçi sot në Këshillin e Sigurimit të OKB-së 

Thaçi ka shpjeguar legjitimitetin e krijimit të forcave të armatosura kosovare me legjitimitetin që i ka dhënë pakoja e Ahtisaarit në nenin 52 të tij dhe e drejta ndërkombëtare, sipas vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Presidenti ka folur gjerësisht edhe për marrëdhëniet me komunitetin serb në Kosovë, që sipas tyre nuk ka reaguar aq keq ndaj krijimit të FSK-së.

“Përfytyroj një të ardhme ku ushtarët e Kosovës dhe Serbisë të shërbejnë bashkë në misione paqeruajtëse anembanë botës. Shteti serb është paraqitur i zemëruar, por jo edhe qytetarët serbë të Kosovës”, vazhdoi Thaçi.

Sipas tij, përreth 10% të efektivave të FSK-së vijnë nga “komunitetet jo shumicë”, dhe që kanë ndodhur episode ku vetë pjesëtarë serbë të FSK-së janë detyruar “të japin dorëheqjen si rezolutat i presionit sistematik nga pushteti i Serbisë. Kanë qenë rrëqethëse rrëfimet e pjesëtarëve serbë nga presioni nga shteti i serb. Është e tmerrshme, shtëpitë u janë sulmuar me granata, janë mbajtur me orë të tëra nga policia serbe kur kanë udhëtuar në Serbi”.

I pyetur për polemikat mbi vendimin e dyfishimit të taksave për mallrat me origjinë serbe, Thaçi u duk i prerë duke afirmuar që taksa vjen si pasojë e provokimit serb.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN