Britania përgatitet për Brexit pa marrëveshje

Kabineti qeveritar i Theresa May mblidhet sërish sot për të diskutuar mundësitë e Brexit pa një marrëveshje.

Takimi vjen vetëm pak orë pasi kryeministrja tha në Kuvend se parlamentarët nuk do të votojnë për marrëveshjen deri në javën e tretë të janarit.

Jeremy Corbyn, lideri i laburistëve thotë se nuk ka aspak besim tek May, duke u shprehur se kryeministrja po e çon vendin drejt një krizë kombëtare.

Kur kanë mbetur vetëm 101 ditë nga Brexit, ministrat e kabinetit qeveritar pritet të diskutojnë në letër, mundësitë për të shkuar në Brexit pa një marrëveshje më Bashkimin Europian.

Një skenar i tillë, kundërshtohet nga disa deputetë. 60 prej tyre, i kanë dërguar një letër kryeministres, duke e paralajmëruar për dëme ekonomike të panevojshme, nëse Brexit realizohet pa marrëveshje me BE-në.

Vetë May, duke iu adresuar deputetëve dhe qeverisë së saj një ditë më parë në kuvend, tha se të gjithë do të kenë mundësinë të votojnë për marrëveshjen që ajo negocioi me Brukselin, duke nisur nga 14 janari i vitit të ardhshëm. Deri në një vendim final, Tereza May ka edhe 3 javë kohë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN