Liga Profesioniste, Duka: Kampionati e reklamat në duart e klubeve

Liga Profesioniste si një hap cilësor drejt përmirësimit të cilësisë, financave, por edhe imazhit të futbollit shqiptar. Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka zbulon detajet e procesit, duke nisur nga fati i krahut të tij të djathtë, zotit Libohova, i cili u përzgjodh në krye të Ligës.

“U vendos krijimi i Ligës, u përcaktua drejtuesi, për të marrë në dorë organizimin dhe menaxhimin e aktivitetin e futbollit. Të gjitha do të miratohen në Asamblenë e gjashtë mujorit të parë të vitit 2019. Do të propozohet që drejtuesi i Ligës Profesioniste të jetë anëtar i Ekzekutivit të FSHF dhe zv.president i futbollit”, tha Duka.

Të tjera çështje të sqaruara nga kreu i federatës lidheshin me aspektin financiar dhe prezencën e Ligës në Komisionet juridike.

“Të gjitha të drejtat dhe menaxhimin e Kategorisë Superiore do ti ketë Liga: emrin, reklamat dhe marketingun. Komisionet juridike dhe ato të arbitrimit janë një, por federata do ti japë akses Ligës të kontrollojë 100 për qind ato që kanë lidhje me aktivitetin e saj”, tha Presidenti FSHF.

Pas mbledhjes ku klubet arritën zyrtarisht marrëveshjen për detajet teknike dhe drejtuesin, Liga Profesioniste pritet të jetë funksionale prej edicionit të ardhshëm të futbollit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN