Messi “ngushëllohet” me Këpucën e Artë, e pesta

Rekord ri për Lionel Mesin, që fiton për herë të pestë në karrierë “Këpucën e Artë”, çmimin e golashënuesit më të mirë të Evropës.

Një sukses i padiskutueshëm ai i yllit argjentinas, i cili realizoi 34 gola në 68 ndeshje të luajtura me Barcelonën gjatë sezonit të kaluar. Messi la pas vetes egjiptianin e Liverpool, Mohamed Salah dhe anglezin Harry Kane të Tottenham.

Jashtë podiumit Cristiano Ronaldo, i cili e ka fituar këtë çmim katër herë në karrierë. Me 26 gola të shënuar në 52 ndeshje për Realin e Madridit, portugezi u klasifikua vetëm në vendin e katërt.

I emocionuar në momentin e dorëzimit të çmimit, kapiteni i Barcelonës tha se kur nisi të luante futboll nuk priste asnjë nga sukseset individualë që ka arritur deri më tani, por që “ëndrra ishte vetëm të bëhej lojtar profesionist”.

Sulmuesi është i vetëdijshëm se “fitimi i trofeut si golashënuesi më i mirë në Evropë bëhet më i lehtë kur luan për një skuadër si Barcelona, ekipin më të mirë në botë, ku ka mbështetjen e shumë yjeve të tjerë”.

Lionel Messi e ka fituar Këpucën e Artë edhe në edicionet 2009-10, 2011-12, 2012-13 dhe 2016-17.

Messi kryeson listën e golashënuesve më të mirë të kontinentit edhe në këtë sezon, me 14 gola të realizuar deri më tani, ndërsa duket pa rivalë drejt triumfit të gjashtë në garën për Këpucën e Artë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN