Rudina Hajdari në A2: Nuk ndalem më, PD-ja ka nevojë të qartësojë politikat e saj të djathta

Rudina Hajdari ka vendosur të flasë, dhe nuk do të ndalet më. E pranishme në studiot e A2 në emisionin ‘I Ftuari’, deputetja e Partisë Demokratike Rudina Hajdari u rrëfye me gazetarin Endri Xhafo mbi domethënien e ngjarjeve të fundit që e kanë parë protagoniste të një kritike aspak të heshtur ndaj politikës së vjetër, qoftë edhe ndaj asaj të PD-së.

Vajza e Azemit mohoi se objektivi i saj është formimi i një lëvizje të re politike, por nuk ngurroi të deklaronte se ka ardhur koha e një “lufte shumë të madhe” për të patur një dialog më të hapur dhe reflektues brenda strukturave të Partisë së bashkëthemeluar nga babai i saj, në mënyrë që “të jenë të qarta politikat e djathta të partisë” dhe të gjejnë sërish përfaqësim shtresa si intelektualët, ish pronarët, të persekutuar të regjimit, që sipas saj “nuk e kanë gjetur mbështetjen ashtu siç duhet”, dhe që tundohen nga politikat “e djathta” të Ramës.

Deputetja e Pd-së komentoi edhe polemikat e shkaktuar nga një deklaratë e saj mbi një dorëzim të mandatit në shenjë proteste dhe në solidarizim të protestës studentore. Sipas saj, edhe pse fillimisht ajo kishte menduar të bashkohej me ta për t’i përfaqësuar si figurë e re, më pas u tërhoq sepse konstatoi që studentët ‘nuk kanë dëshirë të përfaqësohen nga askush”.
Këto janë disa nga pasazhet e shkëputura të intervistës.

Për protestën. “Moment historik, që nuk e mendonin as vetë politikanët, një instinkt i studentëve. Paralelizmi me Dhjetorin ’90? Protesta nuk është e frymëzuar nga Dhjetori i Parë në ide, por në përmasë. Për atë që më kanë treguar, në 1990 ka qenë një përballje me një sistem të egër komunist, përballje për jetë a vdekje, që kërkonte një lidership të fortë. Ka një dallim nga sot, sepse jemi në një sistem pluralist. Sot studentët nuk kanë lidership por kanë frymëzues, që mund të jenë profesorë, njerëz të afërt. Mungesa e lidershipit tregon që ata nuk kanë synime për të rrezuar shtetin.

Rudina Hajdari në studiot e A2 me gazetarin Endri Xhafo

Roli i saj në protestën e studentëve. “Do të doja shumë sikur të arrija të projektoja idetë e tyre, kanë humbur shpresën ndaj politikanëve dhe duan figura të pastra. Fillimisht mu duk momenti i duhur që mund ti përfaqësoja ato, por më pas reflektova dhe kuptova qe ata nuk donin përfaqësim”.

Mbi peshën e trashëgimisë të Azemit. “Përgjegjësi shumë e madhe, kam zgjedhur një rrugë të vështirë që është vazhdimësia e rrugës së tij. Duke mbajtur këtë përgjegjësi në shpatulla, reflektoj shumë sepse dëshiroj një Shqipëri siç e donte ai, me një shoqëri të lirë, të drejtë dhe që ka për bazë atdhedashurinë”.

Mbi fjalën e mbajtur në Qytetin Studenti, pranë bustit të Azemit. “Doja ta bëja këtë gjë të qartë, doja ta merrja fjalën se jam vajza e tij por edhe deputete e Partisë Demokratike, pra ishte me vend që të mbante fjalën vajza e tij. Nuk kam komplekse për të ndërdyrë përherë, pra nuk ishte zemëratë por thjesht çudi që nuk isha pjesë e protokollit, por janë detaje të vogla, që mund të korrigjohen, por në atë moment doja edhe të tregoja pak karakterin tim”.

Mbi strategjinë saj në të ardhmen. “Reagimet e mia nuk janë instinktive por te mirë menduara. Kam qenë tolerante këtë vit, kam dëgjuar, por është e qarte që do vinte momenti që unë do flisja, dhe këtu nuk ka kthim mbrapa. Sovrani ka nevojë për figura që t’i përfaqësojnë në mënyrë të denjë”.

Mbi marrëdhëniet me administratën amerikane. “Unë investim amerikan? Kam shumë miq në departament, Kam punuar në Kongresin amerikan për të mësuar , dhe merresha me politikat rajonale të Ballkanit, e kam parë nga brenda se çdo të thotë. Me ambasadën amerikane kam kontakte të shpeshta, jam pjesë e komisionit të jashtëm dhe ata i duan njerëzit që dinë si të komunikojnë me ta, dhe nuk e ndryshojnë fjalën. Unë flas me to në mënyrë të drejtpërdrejt, por nuk shkon më shumë se kaq”.

Për sa i përket Vettingut, dhe rolin e të ëmës në proces. “Besoj te Vettingu. A do e kalojë mamaja ime atë? Kjo i përket komisionit, ajo si çdo gjykatës tjetër do paraqitet përpara komisionit dhe do të jepet verdikti.  Nuk kam pse të komentoj për këtë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN