Statistikat, kundër Jose Mourinho-s

Edhe pse i bujshëm, largimi i Jose Mourinho-s ishte një vendim që pritej. Drejtuesit e Manchester United i kanë dhënë trajnerit disa shanse për të ndryshuar ecurinë e skuadrës, por kjo nuk ndodhi.

Statistikat tregojnë se ky është edicioni më i dobët i ekipit në dekadat e fundit. Nëse në sezonin e kaluar “Djajtë e Kuq” pësuan 28 gola në 38 ndeshje, në këtë kampionat, kur janë luajtur më pak se gjysma e ndeshjeve, ata kanë pësuar plot 29 gola.

Me vetëm 26 pikë në 17 javë, kjo është nisja më e dobët e Premier Ligës në 28 vitet e fundit.

Në karrierën e tij, Mourinho ka drejtuar tetë ekipe dhe përveç një rasti te Chelsea, ai është larguar gjithmonë në vitin e tretë të punës.

Në dy vjet e gjysmë punë në Old Trafford, portugezi e drejtoi Manchester United në 144 ndeshje, ku ka regjistruar 84 fitore, 31 barazime dhe 29 humbje, ndërsa ka fituar edhe tre kupa, mes të cilave trofeun e Europa League.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN