“Ushtarakët të vishen policë”, Komisioni i Sigurisë rrëzon propozimin

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, propozoi në komisionin e ligjeve që radhët e policisë të mbushen me ushtarakë, pasi në to ka mangësi të mëdha.

Sipas Lleshajt do të duheshin 4 vjet për të plotësuar të gjitha gradat që janë mangët në radhët e policisë dhe si pasojë ai kërkoi plotësimin me ushtarakë, të cilët do të pozicionohen kryesisht në nivelin e nënkomisarëve.

“Policia ka mungesë në nivelin 30% të gradave. Shqipëria vend me shume probleme dhe pak policë, një ndër vendet me numrin më të vogël të oficerëve për frymë. 1/3 e oficerëve të policisë kryejnë detyra më të larta se grada që mbajnë”, u shpreh Lleshaj.

Ai shtojë se në projektligjin e ri, ushtarakët do të pranohen me konkurs në polici vetëm pasi të kenë dalë në lirim, ndërsa policët mund të ushtrojnë detyra drejtuese vetëm nëse ndjekin një arsimim të dytë.

Megjithatë, në fund të mbledhjes, Komisioni i Sigurisë ka rrëzuar propozimin e bërë nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Vetëm katër ditë më parë Lleshaj urdhëroi heqjen e postblloqeve dhe policëve nëpër semaforë, si një masë për të shfrytëzuar më mirë oficerët e policisë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN