Haradinaj: Taksa nuk hiqet, të liberalizohen vizat

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas kthimit nga Brukseli, mbajti një mbledhje të qeverisë. Aty u diskutua për draft-marrëveshjen gjithëpërfshirëse dhe detyruese ligjore mes Kosovës dhe Serbisë. Pas mbledhjes shefi i qeverisë së Prishtinës në një konferencë për shtyp shtroi dy kërkesa për Bashkimin Europian.

“Të normalizojë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe t’i liberalizojë vizat. Të dyja janë në proces. Liberalizimi nuk ndërlidhet me taksën. Besoj se do ta marrim liberalizimin në një të ardhme të afërt, jo ashtu siç ka thënë komisioneri Johanes Hahn. Ndërsa taksa hiqet vetëm kur Serbia të njohë Kosovën. Kemi interes Serbia ta njoh Kosovën për shkak se i ndryshon proceset tona integruese, ndërsa edhe Serbia ka interes për diçka siç është tregu i Kosovës”, tha Haradinaj.

Më tej, Haradinaj përsëriti se rruga në të cilën po shkon dialogu i udhëhequr nga përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, rrezikon gjithë investimin e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Shefi i qeverisë së Prishtinës të hënën në mbrëmje pati përplasje të ashpra me Mogherinin në takimin për Këshillin e Stabilizim Asociimit.

Zyrtarët europianë i kërkuan kryeministrit të Kosovës, heqjen e taksës 100% për importimin e mallrave serbë. Momentet e tensionit u pasqyruan dhe pas takimi me anulimin e konferencës së përbashkët Kosovë-BE.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN