Nga Laçi në “Old Trafford”, heroi i vitit ’99 merr drejtimin e United

E kanë quajtur “Vrasësi me fytyrë fëmije” për shkak se një gol i tij në minutën e tretë shtesë i dha Manchester United fitoren në finalen e Champions League të vitit 1999 kundër Bayern Munchen. Atë mbrëmje, Sir Alex Ferguson e futi si zëvendësues për t’u shndërruar në heroin e klubit, ndërsa sot, sërish si “zëvendësues” Ole Gunnar Solskjaer do të ketë një detyrë ndoshta edhe më të vështirë: të drejtojë skuadrën deri në fund të sezonit pas shkarkimit të Jose Mourinhos.

Shefi ekzekutiv i klubit, Ed Woodward, beson se ai do të bëjë një punë shumë të mirë dhe do të bashkojë lojtarët me tifozët. Ndërsa vetë Solskjaer, i cili drejton momentalisht skuadrën norvegjeze Molde, u shpreh i gatshëm të ndihmojë klubin e zemrës.

Me Molden, gjatë verës Solskjaer udhëtoi edhe në Shqipëri, ku luajti dhe fitoi përballë Laçit në turin e dytë të Europa League. Prej asaj ndeshje, Solskjaer e pranoi se dëshironte që një ditë të kthehej te Manchester United, aty ku deri në vitin 2011 punoi si trajner i ekipit të rezervave, por vështirë se e besonte që shansi do ti vinte kaq shpejt.

“Kurrë nuk i dihet se çfarë ndodh në futboll, por kjo ishte një mundësi që duhet ta pranoja”, tha 45-vjeçari, i cili në karrierën si futbollist ka shënuar 126 gola në 366 ndeshje për “Djajtë e Kuq”. Në përfundim të sezonit, ai do të rikthehet sërish te Molde, pasi United do të ketë zgjedhur deri atëherë trajnerin e ri të përhershëm.

Si ndihmës të tij do të jenë Mike Phelan, por edhe Michael Carrick dhe Kieran McKenna. Puna e tyre do të nisë që sot pasdite, kur edhe do të takohen për herë të parë me lojtarët. Ndërsa ndeshja e parë do të jetë të shtunën kundër Cardiff.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN