Rama: Po e çoni protestën për lesh

Edhe pse disa studentë lanë sallën ku po zhvillohet diskutimi mes Kryeministrit Rama dhe studentëve në Vlorë, të tjerë vijojnë diskutimet, të cilat po zhvillohen me tone të larta dhe të drejtpërdrejta.

Një prej studentëve ngriti disa problematika, jo vetëm në lidhje me arsimin, por dhe me përditshmërinë.

“Vijoj një degë që se dua, e kam mesataren 9.1, motra ime po ashtu. Paguajmë nga 200 mijë lekë për libra, prindërit i kam pa punë, s’marrim asnjë subvencion asgjë. Kur vini thoni do bëjmë këtë e atë, kur dilni asgjë s’marrim vesh. Vijnë studentët këtu dhe i quani komunistë. Edhe unë do dilja me shpirt me ta, po thash t’ju flas një herë. Po na e vrisni. Po na e vrisni shpresën. E vërtetë është që ai tjetri të vriste në Bulevard, por ju po na vrisni shpresën. Sapo kryeministri Rama mori fjalën, ai iu kthye studentit, ndërsa i tha se nuk mund ta krahason me të tjerët”, tha studenti.

“Ku e dëgjove që ju quajta komunistë. Unë thashë në ’90 kërkuam kapitalizëm. Nëse më thua se Vlora ishte siç ishte para 5 vitesh, nëse thua se ka radhë në OSHEE e ke gabim, se faturën mund ta paguash nga telefoni. Okulistin shko në Gjermani dhe shihe a ka radhë apo jo. Në të gjitha sistemet spitalore të Europës shko e shihe a ka radhë. Nuk po bëj justifikim. Në Gjermani i jep shtetit 45% të asaj që fiton. Këtu i paguan shtetit 5% të asaj që fiton”, tha Rama.

Më tej, Kryeministri e ngriti tonin dhe u tha studentëve që të mos vazhdojnë më në këtë mënyrë. “Po e çoni protestën për lesh me këtë mënyrë pa kuptim. Unë dua që këto gjëra të plotësohen dhe të bëhen angazhime”, tha Rama.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN