Presidenti i kthen Ramës edhe uljen e dividendit

Pas buxhetit, Presidenti Ilir Meta i kthen qeverisë edhe nismën për uljen e dividendit nga 15% në 8%.Bëhet fjalë për uljen e taksës për fitimin që u shpërndahet aksionerëve të kompanive dhe që qeveria e parashikoi në paketën fiskale 2019, që hyn në fuqi nga 1 janari.

Në shpjegimin e saj, presidenca argumenton se ulja e dividendit krijon pabarazi të mëdha në taksimin e qytetarëve, çka sipas këtij institucioni, është antikushtetuese. Në njoftimin e presidencës theksohet se kjo lehtësi fiskale bie në kundërshtim me parimin kushtetues të “barazisë përpara ligjit” dhe me paqartësinë e përmbajtjes së tij krijon pasiguri juridike për aplikimin në praktikë.

“Në një vlerësim dhe analizë më të përgjithshme të kuadrit fiskal, ky ligj përmbys sistemin dhe barazinë fiskale, duke e kthyer sistemin e taksimit progresiv në regresiv, sepse favorizon ndjeshëm shtresën më të pasur të shoqërisë”.

Njoftimi i Presidencës

Argumenti i dytë që presidenti jep është efekti prapaveprues i kësaj nisme, që e bën uljen e dividendit të marrë përmasat e një amnistie fiskale, ku nuk përcaktohet qartë shtrirja kohore e saj. Sipas institucionit të presidentit, kjo amnisti nuk mund të bëhet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, si pjesë e paketës fiskale për vitin 2019.Dekreti I presidentit do të dërgohet për diskutim në kuvend, dhe pas diskutimit në komisionin e ekonomisë, fjalën e fundit do të kenë kartonët në seancë plenare.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN