Talat Xhaferi i ftuar në A2: Ngërçi i gjuhës shqipe, Presidenti po thyen Kushtetutën

Maqedonia në udhëkryq, ndryshimet kushtetuese që pritet të finalizojnë marrëveshjen e Prespës me Greqinë për çështjen e emrit, por edhe njohja e gjuhës Shqipe.

Për këto dhe të tjera në emisionin e A2 I Ftuari me Endri Xhafon diskutoi Talat Xhaferi, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, i pari shqiptar në një post kaq të lartë në vendin fqinj.

Implementimi i ligjit të miratuar në parlamentin e Shkupit që ngre shqipen në rang të gjuhës zyrtare është një nga temat më të nxehta në debatin politik maqedonas.

Një rrugëtim i gjatë, nga momenti që “studentët tonë kanë protestuar që në vitet ’60 për ngritjen e flamurit”, siç thotë duke buzëqeshur Xhaferi, ndoshta duke bërë një paralelizëm me ngjarjet e fundit në Shqipëri.

Kanë ndryshuar kohët kur dëshira e shqiptarëve për të pasur një institucion arsimor në gjuhën e tyre përfundoi në gjak dhe në dhunë: ishte viti 1994, dhe studentët shqiptarë kërkonin themelimin e Universitetit të Tetovës. Sot shqipja është gjuhë zyrtare. “Sistemi i atëhershëm nuk i kuptonte nevojat e qytetareve të saj dhe kohën që po vinte”, deklaron me diplomaci.

Sipas tij, në vitet në vijim “klikat politike kuptuan që politika nuk mund të zbatohet me metodat e periudhës së kaluar, kështu që edhe perceptimi kolektiv dhe politik ka ndryshuar me atë që ishte dikur. Shumica parlamentare e buruar në 2016 pikësynim paraprak dhe parësor kishte rregullimin me ligj të gjuhës shqipe, siç e dini ligji është miratuar, me votim të sërishëm pas refuzimit të parë të presidentit”.

Refuzimi i presidentit maqedonas Gjorge Ivanov për të dekretuar Ligjin që zyrtarizon gjuhën shqipe, që ende nuk botohet në Gazetën Zyrtare të atij vendi, ka efekte të drejtpërdrejta jo vetëm në çështjen e gjuhës, por edhe në marrëdhëniet ndërinstitucionale.

Këtu Xhaferi është i prerë dhe i qartë. Sipas tij, presidenti Ivanov po tenton të thyejë Kushtetutën. “Presidenti sipas kushtetutës të 1991 ka te drejtën e një veto për ligjet e miratuara për here të parë , për të pasur një baraspeshë të pushteteve. Por këtu kemi keqpërdorim të funksionit nga ana e kreut të shtetit, i cili refuzon të firmosë ligjin pas herës së dytë. Por ai shkon më larg, nuk dekreton edhe ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë, pra kemi praktikë të thyerjes së Kushtetutës”.

Sipas Kreut të Parlamentit maqedonas, në sistemet demokratike, “vullneti i shumicës parlamentare nuk mund të pengohet” nga asnjë institucion tjetër, kështu që ligji do të shkojë pa firmën e presidentit, që refuzoi të kryej obligimin e tij kushtetues.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN