Tërheqja e trupave nga Siria, Trump kritikohet ashpër

Vendim i presidentit amerikan Donald Trump për të tërhequr trupat ushtarakë nga Siria është pritur me kritika të ashpra. Kreu i Shtëpisë së Bardhë e bëri njoftimin të mërkurën, nën argumentimin se Shteti Islamik në Siri ishte mundur.

“Ne kemi luftuar për një kohë të gjatë në Siri. Kam qene president për gati dy vite dhe kemi bërë progres të konsiderueshëm duke fituar kundër ISIS. E kemi mundur keqazi grupin terrorist. Rimorëm kontrollin në tokat e pushtuara dhe tani është koha që trupat tanë të rikthehen në shtëpi”, tha Trump.

Por figura të rëndësishme në radhët e republikanëve e kundërshtojnë konstatimin e presidentit, duke pretenduar se kjo lëvizje do të ndikojë në forcimin e ISIS.

“Të gjithë ata që thonë se ne e kemi mundur ISIS në Siri, e kana gabim. Vendimi i marrë sot nga presidenti është katastrofik për sigurinë tonë kombëtare”, u shpreh MarcoRubio.

“Vendimi për të tërhequr trupat amerikanë në Siri, është një gabim kolosal. Një gabim fatal që do të ketë pasoja të rënda gjatë viteve e muajve në vazhdim”, u shpreh Lindsay Graham, senator republikan .

Pentagoni bëri me dije se po kalonte gradualisht në fazën tjetër të fushatës për eliminimin e Shtetit Islamik, por nuk dha detaje të tjera. Shtëpia e Bardhe nuk dha një afat për tërheqjen e trupave, por zyrtarë të mbrojtjes të cituar nga CNN thanë për “New York Times” se presidentit do t’i kthente ushtarët brenda 30 ditëve.

Shkarkoni aplikacionin e A2