Xhaferi në A2: Ka ndikime të brendshme dhe të jashtme për të bllokuar procesin

Duke komentuar situatën e brendshme maqedonase në studiot e A2, Kryetari i Kuvendit u tregua i qartë për rëndësinë vitale që përbën integrimi i Maqedonisë në strukturat e NATO-s dhe të atyre të BE. Një proces që sipas Xhaferit po tentohet të bojkotohet nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm.

Në këtë prizëm duhet parë edhe mundësia që botimi i ligjit të gjuhës shqipe të marrë drejtimin përfundimtar pas miratimit të amendamenteve të Kushtetutës dhe ratifikimin të Marrëveshjes së Prespës për ndryshimin e emrit që do t’i hapte rrugë zgjidhjes së konfliktit me Greqinë.

Sipas Xhaferit, “duhet të jemi të kujdesshëm në veprimet momentale që mund të ndikojnë vendimin e disave që mund të tërhiqen nga mbështetja e marrëveshjes”.

Mendja shkon te tetë disidentët e VMRO-DPMNE që kanë mbështetur Qeverinë duke siguruar 80 votat që duhen për të vijuar procesin e ndryshimeve kushtetuese, dhe mund të jenë të lëkundur nga iniciativa si arrestimi i ish kreut të Shërbimeve Sekrete Sasho Mijalkov.

Xhaferi në studiot e A2 me Endri Xhafon

Për kreun e Parlamentit ekziston mundësia që veprime të pakujdesshme ose jo mirë të llogaritura mund të bëjnë që faktorë të tillë “ta përdorin si alibi për t’u tërhequr”.

Xhaferi më vonë shton që ekzistojnë edhe “ndikime ose tendenca për ndikime anësore për të bllokuar procesin, nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm, që ndërlidhen”, po pa i specifikuar ato, sepse sipas tij “në politikë nuk ka emra por veprime”.

Por nuk mohon që pjesë e këtyre faktorëve sabotues mund të jetë vetë prokuroria. ”Po nuk duhet përjashtuar. Një strukturë që ka qenë 10 vjet në pushtet ka brenda vetes edhe elementët e sabotazhit”, thotë Xhaferi, duke aluduar në këtë mënyrë në ndikimin e politikave të Zaevit dhe krerëve të VMRO-DPMNE në strukturat e prokurorisë.

Një nga pikat që mund të zbusë situatën mund të jetë edhe kompromisi për sa i përket ngjarjeve të dhunshme të 27 prillit ku disa deputetë u dhunuan në Parlament, mes tyre dhe Ziadin Sela.

Personalisht ai deklarohet kundra çdo amnistie të këtij tipi, por pranon që një farë kompromisi mund të ketë, sepse politika i ka këto, por “organizatorët e dhunës në Kuvend nuk do të jenë pjesë e amnistisë”, dhe nëse kërkesa e disidentëve të VMRO do të përfshijë këto persona, ajo do të refuzohet.

Xhaferi refuzon edhe paralelizmin si përfitues i amnistisë për revoltën e armatosur të vitit 2001. “Ngjarjet e 2001 nuk korrespondojnë me aktet në Parlament në 27 prill. Në 2001 ishte vendim kolektiv i shqiptarëve në Maqedoni, dhe gjithçka ishte në kompetencat e faktorit ndërkombëtar”.

I pyetur për mundësinë që e kaluara e tij si komandant me UÇK mund t’i digjte atij mundësinë për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të prillit të ardhshëm, Xhaferi shprehet që e mohon këtë mundësi.

Madje, nuk e përjashton “a priori” mundësinë e një kandidimi të tij për “çështje madhore”, edhe pse nënvizon që ndihet shumë komod në postin e tij të rëndësishëm, që për herë të parë i përket një shqiptari, dhe dëshiron të përfundojë mandatin, sepse gjykon që zgjedhje të parakohshme nuk duken në horizont, sidomos “për afatet kohore”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN