Kriza e Skënderbeut nuk ka fund, Kamza merr fitoren jetike

Kamza arriti një fitore të madhe kundër Skënderbeut duke siguruar tri pikë jetike për mbijetesën në Kategorinë Superiore. Humbja e katërt radhazi për korçarët, që tashmë duken në krizë të thellë rezultatesh.

Skuadra e Ernest Gjokës arriti të shënonte në fund të pjesës së parë me japonezin Fukui, i cili doli i vetëm përballë portierit kundërshtar Teqja pas një topi të gjatë drejt zonës dhe nuk gaboi.

Edhe pse miqtë ishin më shumë në kontroll të lojës, nuk mundën të shmangnin këtë rezultat negativ. Edhe në pjesën e dytë, Skënderbeu nuk mundi të rrezikonte portën e Kamzës, ndërsa në të vetmin rast që pati, kur Guexh doli me portën e boshatisur, gaboi në mënyrë fatale.

Në fund pati edhe momente nervozizmi mes dy skuadrave me lojtarët që u përleshën me njëri-tjetrin pa anashkaluar edhe gjyqtarin Laver Alla.

Kamza kalon në renditje edhe Tiranën, e cila tashmë duhet të fitojë patjetër kundër Flamurtarit për të mos mbetur në vend të parafundit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN