‘Rusi 2018’ rekord, u ndoq nga 3.5 miliard njerëz

Rusi 2018, kampionati botëror që lamë pas, ka thyer të gjitha rekordet e shikueshmërisë. Statistikat e bëra publike nga FIFA tregojnë se ky është botërori më i shikuar në histori.

Botërori që lamë pas, Rusi 2018 është parë nga 3.5 miliardë njerëz, afro gjysma e popullsisë së globit. Këto janë statistikat më të fundit të publikuara nga FIFA që tregon numrin e jashtëzakonshëm të personave që kanë ndjekur të paktën 1 minutë nga ndeshjet e Kupës së Botës, në shtëpi, në sheshe apo stadiume.

Rusi kundër Arabisë Saudite ka regjistruar shikueshmërinë më të madhe për një Botëror

Momentet e para të ndeshjes hapëse mes Rusisë dhe Arabisë Saudite kanë patur shikueshmërinë më të lartë të historisë së botërorëve, ndërsa finalja mes Francës dhe Kroacisë ka vënë përpara ekraneve të paktën 1.12 miliard njerëz në mbarë botën.

Përgjatë 64 ndeshjeve të turneut, mesatarja e personave që kanë ndjekur një ndeshje të plotë, në çfarëdolloj platforme është 191 milionë.

Krahasuar me botërorin e kaluar, atë të Brazil 2014, audience e cila që ka ndjekur rreth 30 minuta nga turneu është rritur me rreth 500 milion njerëz, nga 1.9 miliardë 4 vite më parë, në 2.5 miliardë vetëm gjatë kësaj vere. Shifra të frikshme këto të cilat pritet të thyhen vit pas viti.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN