Kuvendi diskuton Vettingun dhe reformën zgjedhore

Parlamenti është mbledhur sot në seancën e fundit të planifikuar për këtë sesion parlamentar.

Debati për Vettingun në politikë ishte argumenti me të cilin opozita do t’i rikthehej jetës parlamentare pas një ndërprerjeje disa mujore, ndërkohë që mazhoranca ka refuzuar të aprovojë nismën e saj.

Debat i fortë pritet dhe për reformën zgjedhore, pasi socialistët e futën draftin në seancë jo përmes komisionit të posaçëm parlamentar, por si nismë të tyre.

Opozita ka reaguar ashpër, ndërkohë që ambasadori i BE në Tiranë kërkoi konsensus mes partive.

Ndërkohë, seanca e së enjtes u karakterizua me tensione të shumta, të cilat arritën kulmin në momentin kur Kryeministri u qëlluan me vezë në foltoren e Kuvendit nga deputeti demokrat Endri Hasa, i cili u përjashtua me 10 ditë. Ndërsa në orët e mbrëmjes, Kuvendi rrëzoi dekretin e Presidentit Meta për rishqyrtim të buxhetit, me 76 vota kundër dhe 22 pro.

***

Ora 10:45 – Bylykbashi: Vettingu i politikëve është legjitim, Venecia e tha qartë

Në fjalën e tij në Kuvend, deputeti i PD, Oerd Bylykbashi i kërkoi mazhorancës të votojë pro draftit për Vettingun në politikë.

“Komisioni i Venecias e thotë qartë, që detajon çdo hap që duhet të ndjekim. Na kërkon, udhëzon si të ruajmë dhe bëjmë kujdes për standardet dhe këtu këtë do të bëjmë. Komisioni u thotë shqiptarëve që qëllimi për të futur vettingun e politikëve është legjitim. Gjyqtari, prokurori apo ministri janë e njëjta gjë, nuk mund të bësh vetting vetëm për gjyqtarin dhe të lini kriminelët të livadhisnin. Komisioni na ka bërë një shërbim të jashtëzakonshëm, por ju nuk doni të dëgjoni. Venecia kërkon që PD dhe PS të ulen për dialoguar, por ju morët vendimin dhe e rrëzuat. Hajdeni ulemi në dialog të hapim rrugën për vettingun në politikë”, tha Bylykbashi.

Shkarkoni aplikacionin e A2