Gjen 10 000 $ dhe i dorëzon në polici

Pak vetë do ta kishin bërë këtë veprim.

Një udhëtar në metronë e Nju Jorkut mund të jetë futur në listën e “djemve të mirë” nga Santa Claus, pasi ka dorëzuar në polici një çantë me 10 000 dollarë brenda të gjetura në një stacion treni.

Richard Taverna pa çantën blu Chanel të enjten në mëngjes në stacionin “Lincoln Center” në Manhatan dhe tha se bëri veprimin që pak vetë do ta bënin.

“E mora çantën sa për të parë nëse brenda kishte informacion mbi pronarin, apo mjet identifikimi”, tha ai për CNN.
Brenda gjeti vetëm një letër ku ishte shkruar diçka në rusisht. Ai e mori çantën me vete në shtëpi, ku edhe gjeti paratë. “Brenda kishte një zarf dhe kur e hapa gjeta aty gjithë ato para”.

Në fakt, ishin 100 kartëmonedha prerje 100 dollarëshe, të cilat ai i vendosi të gjitha mbi tavolinë dhe i fotografoi. “Kuptova që dikush kishte humbur 10 000 dollarë kështu që mendova se dikush në ato çaste ishte duke u ndjerë shumë keq”, shtoi ai. “Nuk ishin paratë e mia kështu që i çova në polici”.

Në të njëjtin rajon policie, një grua kishte bërë denoncimin pak orë më parë për një çantë blu që i kishte humbur, kështu që paratë shkuan shpejt te e zonja. “Nuk besoj se kam bërë ndonjë gjë të jashtëzakonshme, thjesht gjënë e duhur”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN