Legjenda vazhdon, Real kampion bote për herë të tretë rresht

Real Madrid fitoi Botërorin e Klubeve për herë të tretë radhazi dhe të katërt në total që kur kompeticioni ka ndryshuar format, duke shkatërruar 4-1 Al Ain në finalen e luajtur këtë të diel në Dubai.

Luka Modric çeli serinë e golave pa kaluar çerek ore lojë, duke shënuar me një goditje të saktë që përfundoi në cepin e poshtëm në të majtë të portierit kundërshtar. Skuadra e Emirateve të Bashkuara Arabe shënoi vetëm dy minuta më vonë, por arbitri e cilësoi golin të parregullt të realizuar në pozicion jashtë loje, duke nxehur lojtarët vendas.

U desh të kalonte një orë lojë që Real të shënonte golin e qetësisë kur Marcos Llorente tregon teknikë të shkëlqyer me një goditje tepër të saktë nga jashtë zonës. Në të 79’ është radha e kapitenit Sergio Ramos për të shënuar, kur kërcen me kokë mbi të gjithë mbrojtësit kundërshtar dhe dërgon topin në rrjetë.

Katër minuta nga fundi Al Ain shkurton diferencën me Tsukasa Shoitani, që shënon me kokë golin e ngushëllimit, por në fund Yahia Nader dërgon topin në portën e tij duke vulosur rezultatin final 4-1.

Përveç katër herëve që ka fituar Botërorin e Klubeve (2014, 2016, 2017, 2018), Real Madrid ka fituar tri herë (1960, 1998, 2002) edhe Kupën Interkontinentale, kompeticionin që zhvillohej deri në vitin 2004 mes kampiones së Europës dhe asaj të Amerikës së Jugut.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN