Largimi i të miturve nga shtëpitë, fenomen shqetësues – A2

Largimi i të miturve nga shtëpitë, fenomen shqetësues

Pas gjetjes së dy binjakeve që u larguan me dëshirë nga banesa e tyre një tjetër rast u regjistrua në Tiranë. Motër e vëlla, përkatësisht 16 dhe 7 vjeç, u larguan nga shtëpia në zonën e Kodrës së Priftit, pa lajmëruar prindërit.

Prindërit nga ana tjetër ishin alarmuar pasi e reja nuk kishte kontaktuar me ta ndërsa policia arriti t’i gjente 24 orë më pas, atë së bashku me të vëllain. Gjatë deklarimit në polici, ajo tha se iku nga banesa për të takuar një mikun e saj.

Edhe rasti i dy binjakeve alarmoi policinë pasi dy 13-vjeçaret ishin larguar pa asnjë gjurmë. Ndonëse ata thanë që ishin nisur drejt të afërmeve të tyre në zonën e Kamzës, policia i gjeti në zonën e Kamzës, duke bërë xhiro me biçikletat e Bashkisë.

Sipas psikologeve raste të tilla vijnë nga disa faktorë.

“Jemi shumë të fokusuar në këtë moshë, për shkak se lind edhe kriza e identitetit, ku fëmijët priren të nxiten nga emocionet, sepse është mosha që fillojnë edhe lidhjet, por ka edhe përplasje mes botëkuptimit të prindërve dhe fëmijëve.

Aurela Agalliu, psikologe

E vetmja zgjidhje sipas tyre është komunikimi prindër-fëmijë.

“Unë do të rekomandoja kryesisht një komunikim shumë të lartë mes prindërve dhe fëmijëve. Prindërit duhet të komunikojnë, nuk duhet të nxisin konfliktin, nuk duhet të reagojnë ashpër, sepse ky është pikërisht momenti kur ata kanë më shumë nevojë të dëgjohen, të mbështeten dhe të vlerësohen”.

Aurela Agalliu, psikologe

Në komunikatat zyrtare të policisë denoncohen me dhjetëra raste të largimit nga banesa të të miturve. Ndonëse pjesa me e madhe e tyre largohen me dëshirë, diçka e tillë është kthyer në një fenomen shqetësues.

Shkarkoni aplikacionin e A2