Me Ibrahim Kodrën, nga Milano në Lugano

Çfarë fshihet pas këpucëve? Për Van Gogh, një histori, një jetë, e një përpjekje e madhe. Ai i pikturoi ato disa herë, si për të rrëfyer rrugëtimet e një artisti.

Një artist me këpucë të veçanta e ka edhe Shqipëria. Këto janë ngjyrat e Ibrahim Kodrës.

Thonë se Picaso u trondit kur u njoh me telajon e tij, por kur e takoi artistin me këto këpucë, kuptoi se çfarë fshihej pas tyre.

“Kodra, një shpirt i pasur që reflekton njerëzoren në telajo dhe një mik i jashtëzakonshëm”.


Kështu do të shkruante më vonë për Ibrahim Kodrën, Pablo Picaso.

Nëpër këto rrugë kanë ecur shumë artistë. Në Milano, në shtëpinë e tij të rrëmujshme, Ibrahim Kodra ftonte shumë miq e dashamirës të artit të tij. Të gjithë i gostiste me art, me penela të ngjyer në bojë, me skulptura pa lakime, e në fund edhe pak muzikë. Me kitarën e tij, një kitarë me të cilën këndonte vargjet e Lasgushit.

E krijuar për të, kjo kitarë nuk kishte as emër, me tinguj italianë e me vargje shqiptare, njëlloj si në telajot e tij, njëlloj si vetë ai, që trupi i endej aty ku rritej, ndërsa rrënjët i mbante fort nga aty ku kishte lindur.

Shpirti krijues i Ibrahim Kodrës ishte ende aty, në shtëpinë e tij, në Milano, aty ku A2 ka ndaluar. Në studio si e piktorëve, pa rregull, disa fotografi të artistit, me vajza të bukura në krah të tij, një tavolinë ku shkrimet kritike ishin të vetmet që i shpëtonin ngjyrave që përhapeshin ngado.

Fatos Faslliu është mikpritësi. Ai i qëndroi pranë Ibrahim Kodrës deri në çastet e fundit të jetës. Ai sot jeton me amanetin e mjeshtrit. Të hapë derën e shtëpisë së tij, si një muze ku Kodra mund të lexohet edhe përtej telajos.

Fatos Faslliu

Ai na tregon se kjo shtëpi ka mbetur thuajse si e la mjeshtri. Asnjë restaurator nuk ka dashur ta prekë jetën e tij.

Fatosi na tregon se shumë pranë Milanos, gjendet një vend në të cilin Kodra shkonte të kërkonte muzën e tij. Aty në ujërat e Luganos kërkonte qetësinë për t’ju rikthyer një telajoje tjetër. Dhe A2 niset drejt Zvicrës, për të njohur magjinë e Luganos, qytetit ku Kodra pushonte shpesh, në një hotel ku kishte gjetur të tjerë shqiptarë, ku pikturën e tij e adhuronin e ku mëngjesi mund të shijohej me pamjen nga liqeni e me ngjyrat e telajos së tij. Hoteli thuajse i ngjante një galerie arti.

Luela Myftari, gazetare e A2

Çdo vend çlodhjeje kishte pak nga forma, materia dhe ngjyrat e Ibrahim Kodrës. Pikërisht këtu, në Lugano, pak metra larg nga hoteli ku ai qëndronte fundjavave, ata që e njihnin më së miri Kodrën kanë çelur një ekspozitë në nderim të 100-vjetorit të mjeshtrit shqiptar të pikturës.

Maria Pacolli, ndryshe Masha, një njohëse e mirë e veprës së tij, sot ia dedikon kohën e saj një misioni të Ibrahim Kodrës. Ajo është bashkëshortja e Behgjet Pacollit, por në fillim të viteve 2000, ajo nuk u dashurua vetëm me të, por edhe me humanizmin që njohu në pikturat e Ibrahim Kodrës.

Maria Pacolli, fondacioni zviceran, “Ibrahim Kodra”

Mbaj mend që e kam takuar Kodrën në momentet e fundit, ku ai gjendej në spital në Lugano dhe e mbaj mend shumë mirë çfarë emocioni kisha. Ishte njeriu i thjeshtë që kishte gjithnjë si fjalë të parë njeriun. Në spital më tregoi se lufta, paslufta, puna mund të ndikojnë te njeriu, por njeriu duhet të jetë gjithnjë human”, tregon Maria.

Që atë ditë, Ibrahim Kodra do të bëhej pjesë e jetës së saj.

Babai im ka qenë artist. Unë jam edukuar që në moshë të vogël me artin vizual. Kur mbërrita në Itali, për studime, sigurisht në zgjedhje që sërish kishte të bënte me artin, njoha edhe pikturën e Ibrahim Kodrës. Dhe puna me këtë fondacion është ajo që doja të bëja. Sot, edhe vajza ime merret me pikturë. Ajo ka nisur ta njohë krijimtarinë e Kodrës në një moshë të vogël dhe në një farë mënyre mjeshtri Ibrihim Kodra është pjesë e jetës sonë”, tregon Maria Pacolli, fondacioni zviceran, “Ibrahim Kodra”.

Fondacioni me emrin e artistit në Zvicër është tanimë misioni i Maria Pacollit, është një lëvizje që ajo do ta çojë deri në fund.

“Ishte dëshira e tij të ngrihej ky fondacion. Veprat dhe pasurinë e tij mendoi t’ia linte dy personave që i kanë qëndruar pranë edhe gjatë ditëve të fundit të tij. Sot ka një fondacion këtu në Zvicër, që kujdeset për të ndihmuar financiarisht të rinjtë dhe fëmijët që duan të merren me pikturën. Një tjetër fondacion në Shqipëri kujdeset për shtëpinë e mjeshtrit në Milano. Qëllimi ynë kryesor është të kujdesemi për trashëgiminë që ai na ka lënë, për veprat e tij. Për koleksionin që na ka besuar dhe për të plotësuar dëshirën e tij, të kultivojmë brezin e ri me art, sidomos të rinjtë dhe fëmijët, në mënyrë që ata ta duan pikturën”, tregon Maria.

Tablo plot ngjyra, post kubiste, por edhe grafika të thjeshta që Ibrahim Kodra i realizoi gjatë studimeve në Milano e deri ditët e fundit të jetës së tij, gjenden këtu në një ekspozitë, të vetme. 41 telajot që rrëfejnë krijimtarinë e mjeshtrit Kodra nga grafikat e realizuara në bankat e akademisë në Milano e deri në post kubizëm janë përzgjedhur nga Stefano Mazzati, kuratori i kësaj ekspozite.

“Nuk ishte e thjeshtë të kuroje një ekspozitë të tillë, pasi nuk vetë artisti nuk është i thjeshtë. Vështirësia qëndron që nga veprat që duhet të përzgjedhësh për të ekspozuar. Nuk di kë të mos përfshish. Koncepti i ekspozitës ishte që të rrëfenim gjithë krijimtarinë e Kodrës, që kur ai mbërriti në Itali e deri në ndarjen e tij nga jeta, për të kuptuar edhe se si është zhvilluar kjo krijimtari”, thotë Stefano Mazzati, kurator.

Stefano Mazzati, kurator

A2: Nisur nga kjo vepër që daton në vitet e luftës e deri tek ato të fundit, çfarë e bën të veçantë Kodrën në të gjitha etapat e krijimtarisë?

Stefano Mazzati: Kodra ishte një person që përfshihej në jetën sociale dhe civile dhe në përgjithësi ajo që vihet re në telajot e Kodrës është prezenca e njeriut dhe e humanizmit, thuajse në çdo telajo. Në një kohë kur flitej për luftën, Ibrahim Kodra pikturonte për njeriun ushtarak, për atë që ishte vendosur në një rresht, në shërbim, pas luftës në vitet 50 e 60 ai nis t’i bëjë edhe më të çrregullt formate njeriut. Kodra nuk e ka humbur asnjëherë besimin te njeriu.

A2: Sa mendoni se ka ndikuar miqësia me Picaso-n te Kodra?

Stefano Mazzati: Me siguri Kodra nuk është frymëzuar vetëm nga Pikaso, por duhet thënë më së shumti e ka tronditur kubizmi, kjo lëvizje e artit që e shoqëroi pastaj gjithë krijimtarinë e tij. Unë mendoj se ai në asnjë moment nuk ka ndjekur Picaso, pasi kubizmi i tij është kaq personal dhe unik. Ndryshojnë të dy. Mund të mendojmë se miqësia mes tyre dhe pikëpamja e tyre për artin vizual mund të ketë ndikuar në lëvizjen artistike që përcillnin me anë të telajove të tyre, po mendoj vetëm kaq. Kodra e merr kubizmin dhe i jep ngjyrat dhe shpirtin e tij, personalitetin e tij. Çka e bën atë një artist mjaft origjinal.

Por, më shumë i fundmi i post-kubistëve, Ibrahim Kodra vijon të studiohet në Akademinë e Milanos si artisti me ngjyra dhe lëvizje në një tablo plot gjeometri.

Elena Pontiggia, kritike, pedagoge

Kur ua prezantoj në Brera studentëve të mi, veprën e Ibrahim Kodrës, ajo çka i bën më përshtypje janë ngjyrat. Kompozimi dhe ngjyrat e përdorura janë elementët e parë që ata pëlqejnë në telajot e Ibrahim Kodrës. Më pas, i intereson lëvizja e tij informale me të cilën i përcjell imazhet. Duket sikur lëviz nga Venecia e deri në Stamboll, me ngjyra të lira, si deti, ujërat, lëvizja e një qytetërimi që mendoj se merr shkas edhe nga rrënjët e tij”, shprehet Elena Pontiggia, kritike, pedagoge.

Por, ajo që e bën të veçantë Kodrën në pikturë është identiteti i tij, rrënjët shqiptare, që mbart te ai me ngjyrat në çdo telajo.

Do të thoja se puna e tij dialogon padiskutim me ambientin milanez ku ai studioi dhe u formësua, por pa harruar asnjëherë rrënjët e tij, dhe elementë të Shqipërisë në pikturat e tij. Ai përdor traditën shqiptare, elementë antikë, që vijnë nga kultura bizantine e qytetërimit shqiptar. Pikërisht këtë nuk e gjeje në asnjë prej telajove të artistëve italianë të epokës së tij. Janë rrënjët e tij nga Shqipëria, dhe elementët që ai i bashkëngjit veprave të tij që e bëjnë kaq të veçantë. Sepse Kodra solli në Itali diçka që vinte nga larg dhe nga afër njëkohësisht.Për shembull këto figura, japin përshtypjen e ikonave moderne.

Një prej veprave të Ibrahim Kodrës

Shumë prej pikturave të tyre sjellin metafizikën e artit bizantin. E këtë mundi ta sillte përmes post-kubizmit vetëm Ibrahim Kodra”.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Lugano të Zvicrës deri më 15 shkurt, për të manifestuar 100-vjetorin e piktorit të madh Ibrahim Kodra, por veprën e tij do të mund ta gjeninë këto vise kurdoherë, pasi miqtë e tij zotohen se do t’i mbajnë dyert hapur për këdo që do të njohë një artist të madh si Ibrahim Kodra…

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN