Ndryshime në Qeveri? Rama thërret kryesinë e PS

Kryesia e Partisë Socialiste është mbledhur këtë të hënë, në një ditë ku pritet të bëhen edhe disa ndryshime në Qeveri.

Mbledhja është thërritur nga vetë Kryeministri Rama dhe siç raporton gazetarja e A2, Marsela Karapanço, në të po diskutohet mbi performancën e disa ministrave. Sipas zërave në korridoret e politikës, disa prej tyre edhe mund të shkarkohen. Prej disa javësh në fakt përflitet se deputetë të Partisë Socialiste janë të pakënaqur me punën e disa prej ministrave të kabinetit.

Ideja për shkarkimin e disa ministrave është përmendur edhe nga vetë Rama në asamblenë e fundit parlamentare, ku ka deklaruar se ministrat nuk e kanë vendin e përhershëm në këtë mandat katërvjeçar.

Në mbledhje po flitet edhe për mbylljen e vitit të parë të mandatit të dytë të qeverisë Rama, ku një pjesë të madhe të diskutimit mendohet ta zërë protesta e studentëve dhe gjithçka tjetër ka ndodhur në vend përgjatë vitit 2018.

Mbledhja duhet të ishte realizuar në fillim të janarit, siç edhe ka ndodhur në vitet e tjera, por këtë herë socialistët kanë vendosur ndryshe.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN