Rama: PS po reflekton për të nxjerrë mësime nga protesta e studentëve

Kryeministri Edi Rama ka reaguar edhe një herë mbrëmjen e sotme në lidhje me protestën e studentëve, duke shkruar në “Twitter” se PS po reflekton seriozisht për të nxjerrë mësimet e duhura.

“I shoh kadrinjtë të agjituar shumë që mirë u iku dhjetori pa revolucion, po kërkesat e studentëve mesa duket po adresohen dhe Partia Socialiste po reflekton seriozisht për të nxjerrë mësimet e duhura nga shuplaka e tyre për qeverinë. Eh o kadrinj sa stinë si kjo do kaloni akoma”, shkruan Rama.

Më herët, pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama tha se qeveria e tij do të reagojë pas protestës së studentëve, që sipas tij kaloi përtej thjesht kërkesave të tyre.

“Patjetër që kemi diskutuar për protestën e studentëve, të cilët i thonë vetes apolitikë, por që e kanë shkundur politikën, i kanë dhënë një shuplakë qeverisë”, tha Rama. “Reflektimi pas kësaj shuplake do të vazhdojë përtej tyre, për të qenë të denjë dhe në lartësinë e ambicieve dhe shqetësimeve të shoqërisë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN