Krishtlindja, Papa mesazh për materializmin e varfërinë

Në mesazhin vjetor të Krishtlindjeve, për qytetin dhe botën, Papa Françesku bëri thirrje për vëllazëri mes personave të çdo kombi e kulture.

Nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit, kreu i selisë së shenjtë u lut për Sirinë dhe Jemenin, dhe për rifillimin e dialogut mes izraelitëve dhe palestinezëve. “Mesazhi i Krishtlindjeve na thotë se Zoti është një At i mirë, ndërsa ne vëllezër. Kjo e vërtetë është në bazë të misionit të krishterë për njerëzimin. Pa vëllazërinë që na dhuroi Jezu Krishti, të gjitha sforcot për një botë më të drejtë janë jetëshkurtra”, tha ai.

Ndërkaq, në meshën e mbajtur në vigjilje të Krishtlindjeve, Papa Françesku apeloi për një jetë me të thjeshtë dhe më pak materialiste duke dënuar hendekun mes të pasurve dhe të varfërve. 82-vjeçari tha se lindja e Jezu Krishtit në varfëri duhet t’i bëjë të gjithë të reflektojnë mbi kuptimin e vërtetë të jetës, veçanërisht ata që janë shndërruar në lakmitarë e të pangopur.

Mijëra turistë e pelegrinë ndoqën meshën e mesnatës në Bethlehem, ku lindi Jezu Krishti. Patriarku në detyrë, Pierbattista Pizzaballa drejtoi procesionin e përvitshëm nga Jeruzalemi në Bethlehem dhe më vonë mbajti meshën në Kishën e Lindjes, e ndërtuar në shekullin e 4-t.

Pas një viti të vështirë, në konfliktin mes Izraelit dhe Gazës mesazhi që u përcoll gjatë meshës ishte ai për paqe, drejtësi e barazi.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN