Limaj: Në janar rifillon dialogu Kosovë-Serbi

Dialogu me Serbinë do të rifillojë në Janar të 2019-s. Kjo është bërë e ditur nga kryesuesi i ekipit negociator të Prishtinës, Fatmir Limaj.

Ai tha pas takimit me krerët e shtetit të Kosovës se temat që priten të hapen për diskutim me shtetin serb do të jenë ekonomia dhe fati i personave të pagjetur.
“Presim që në 10 ditëshin e parë të vitit të ardhshëm delegacioni të ketë një vizitë me ftesë të BE në Bruksel, dhe atu do të jemi të përgatitur me tema që besojmë duhet të trajtojmë me Serbinë, kështu delegacioni do të marrë funksionin e tij, ashtu siç e ka mandatin nga Parlamenti”, deklaroi në konferencë për shtyp Fatmir Limaj, kryesues i ekipit negociator.

Limaj theksoi se ekipi negociator do të marrë nga presidenti Hashim Thaçi, të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për vijimin e dialogut me Beogradin, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Gjatë të hënës, qeveria e kryeministrit Ramush Haradinaj ndau 300 mijë euro për dialogun me Serbinë. Pavarësisht se qeveria e Prishtinës caktoi rifillimin e dialogut, Beogradi ka bërë të qartë se kjo nuk do të ndodhë pa heqjen e taksës ndaj mallrave të importuara nga Serbia.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN