PD: Ahmetaj i përfshirë tek afera e devijimit të Lanës

Partia Demokratike thotë se në devijimin e projektit te lumit Lana është përfshirë edhe ministri i financave.

Sipas PD këtë e faktojnë pagesat ne vlerën prej 1.5 milionë euro në llogarinë e Ministrisë së Financave për lidhjen e kontratës për privatizimin e një sipërfaqeje të konsiderueshme toke, tek ish Serat, me qellim ngritjen e një kompleksi rezidencial.

Demokratet kanë publikuar të tjera dokumente që sipas tyre zgjerojnë aferën korruptive për devijimin e lumit Lana me qëllim ndërtimin e një qendre rezidenciale.

Deputetja Jorida Tabaku dhe zëdhënësja e PD, Ina Zhupa thanë se në këtë aferë është përfshirë edhe Ministri i Financave Arben Ahmetaj.

Arben Ahmetaj

Këtë sipas tyre e faktojnë pagesat në vlerën prej 1.5 milionë euro në llogarinë e Ministrisë së Financave për lidhjen e kontratën për privatizimin e rreth 31mijë metrave katrorë tek ish Serat, pranë Unazës së madhe.

Sipas Ina Zhupës, zëdhenese të PD, “Edmond Bego është personi që ka paguar rreth 1.5 milionë euro në llogarinë e Ministrisë së Financave, të ndarë në 4 këste, nga muaji nëntor 2015 deri në mars 2016. Pagesat janë bërë nga kompania Inerte Ekspres, në pronësi 100 përqind të Edmond Begos. Faturat bankare që kanë dalë në ekran janë dokumenti zyrtar që provon mashtrimin e Ministrit të Financave, Arben Ahmetaj”.


Devijimi i Lanës, sipas Partisë Demokratike, është afer korruptiv

Zëdhënësja e Partisë Demokratike vijoi akuzat duke deklaruar që “4 pagesat për llogari të Ministrisë së Financave mbajnë datat, njëra në 13 nëntor 2015, me vlerë 121 milionë lekë, kurse 3 të tjerat janë paguar brenda të njëjtës ditë, më 11 Mars 2016. Vetëm pas këtyre pagesave nga Edmond Bego, Ministria e Financave ka lidhur kontratën për privatizimin e rreth 31 mijë metrave katrorë tek ish Serat, pranë Unazës së madhe”, tha Zhupa.

PD thotë se me firmë të kryeministrit dhe kreut te bashkisë u ndryshua plani urbanistik i Tiranës, në 2017-ën, për t’i dhënë mundësi ndërtimit të projektit 60 milionë euro.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN