Dy arsye që rikthejnë Neymar te Barcelona

Rikthimi i Neymar te Barcelona duket gjithnjë e më shumë i mundur. Edhe pse braziliani i blerë për 222 milionë euro është një prej yjeve të Paris SG, gjithnjë e më tepër flitet për një largim të tij nga Franca dhe kthim në “Camp Nou”.

Por arsyet që Neymar mund të rikthehet te Barcelona janë dy. Së pari ai u largua për të fituar Topin e Artë gjë të cilën vështirë ta arrijë nëse Paris SG nuk fiton Champions League. Gjithashtu në Francë tashmë ka dalë një yll i ri, Kylian Mbappe, i cili e ka errësuar tashmë brazilianin. Pa përmendur këtu marrëdhëniet jo të mira me Cavanin dhe etiketimin si egoist nga ana e tifozëve.

Arsyeja e dytë, që është edhe më e rëndësishmja, është zbulimi së fundmi i një prapaskene. Në kontratën e lojtarit në “Parc des Princes” ekziston një klauzolë, e cila hyn në fuqi në verën e vitit 2020.

Pas një viti e gjysmë, të gjitha skuadrat që dëshirojnë të sigurojnë shërbimet e Neymar, mund ta blejnë duke paguar 160 milionë euro për kartonin. Kjo pikë e kontratës bën të pavlefshme çdo tentativë të klubit francez për ta mbajtur lojtarin. Mjafton që të arrihet akordi me kapitenin e Brazilit, të paguhet shifra financiare e përcaktuar.

Klauzola është dukshëm më e ulët se 222 milionë eurot e paguara gjatë verës së vitit 2017 nga parizienët. Tashmë, të gjithë klubet e rëndësishëm në Europë kanë nisur të ëndërrojnë. Por, problemi mbetet të bindet Nejmar, sepse ylli i Seleçao dëshiron vetëm të kthehet në “Camp Nou” dhe përjashton çdo hipotezë tjetër, madje edhe Realin e Madridit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN