Rama: Nga janari, ulje 50% për tarifat e studimit, edhe për ata me nota 4 dhe 5

Në një konference për shtyp të organizuar menjëherë pas një mbledhjeje të qeverisë, Kryeministri Edi Rama tha se kabineti i tij ka miratuar një “pakt për universitetin”, të cilin do ta bëjë publik në mesin e muajit të ardhshëm.

“Universiteti duhet futur në një fazë të dytë, të një reforme transformuese e cila jo vetëm që nuk duhet të zmbrapset, por duhet të thellohet”, tha Rama.

“Studentët nga familjet në ndihmë ekonomike, të verbrit, studentët paraplegjikë, tetraplegjikë, marrin bursë 100% të financimeve të studimeve. Kjo gjë do të bëhet drejtpërdrejt nga qeveria për çdo student që ka këto kritere.

Studentët me notë mesatare mbi 9, do të përfitojnë financimin nga qeveria 100% të tarifës së regjistrimit për ciklin e dytë të studimeve të larta. Gjithashtu do të përfitojnë një bursë prej 10 000 lekësh të reja për çdo program studimi.

Çdo studenti që pranohet në universitet do t’ia financojë buxheti i shtetit financon 50% të tarifës së arsimit. Ndërsa vitin e ardhshëm të gjithë ata që nuk do të kenë mesatare 6 apo më lart, do të humbasin çdo financim nga buxheti i shtetit”, tha Rama.

Sa i përket kërkesës së dytë të studentëve, atë të kushteve të konvikteve, Rama tha se po merren të gjitha masat me mbështetje të disa institucioneve. “Brenda këtij mandati të gjitha konviktet e Shqipërisë do të jenë të rinovuara”, u shpreh ai.

Për sa i përket kartës së studentit, Kryeministri tha se në fund të vitit të ardhshëm ajo do të jetë gati. “Megjithatë nuk i ka penguar karta studentët të shkojnë në teatër apo bibliotekë”, tha Rama.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN