Ambasadori i Kosovës: Beogradi keqpërdor dialogun, ka komunikim me shumë fytyra

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, komentoi në A2 zhvillimet e fundit në Kosovë, veçanërisht dështimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, dhe iniciativat e fundit të Prishtinës zyrtare për të konsoliduar strukturat e saj.

Sipas Ukshinit, rritja e taksave për mallrat serbe ishte “një vendim strategjik për të mbrojtur sovranitetin dhe pacenueshmërinë e republikës të Kosovës”, ndërsa ushtria “shtylla e fundit e ndërtimit të shtetit”, duke e përcaktuar si një “moment i jashtëzakonshëm që kompanitë shqiptare të shfrytëzojnë këtë moment”.

Dialogu me Serbinë duket sikur është kthyer në pikën zero, por Ukshini e mohon këtë pikë. “Çështja e pavarësisë është çështje e mbyllur, ne po negociojmë një moment të ri, për normalizimin e raporteve, që të jenë funksionale edhe jo barrierë për anëtarësimin në BE. Serbia ka dërguar letra gjithandej, por ky është keqpërdorim i dialogut, sepse nuk po diskutojmë më për status, por për marrëdhënie ndër fqinjësore”, deklaroi ambasadori.

Pikërisht për letrat që kryeministrja serbe Brnabic i ka dërguar disa shteteve që mos të njohin Kosovën, përfshirë edhe atë drejtuar Edi Ramës, ambasadori rrëfen që “ për letrën ishim informuar para se të dilte në publik. Kryeministri Rama kishte informuar ambasadoret e Ballkanit dhe BE. Sjellja e Serbisë tregon që, siç ka thënë dhe Rama, Serbia ka komunikim me shume fytyra. Ndryshe me Kosovën, ndryshe me Shqipërinë, ndryshe me vendet e tjera”.

Sipas tij, Beogradi “nuk ka konsistence serioze, ka naivitet, agresion, ka edhe fushata për konsum të brendshëm, për të fituar vota”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN