Gazmend Bardhi: Ndryshimet tentativë e dështuar, Qeverisë i ka mbaruar mandati

Gazmend Bardhi, këshilltar ligjor i Partisë Demokratike dhe një nga profilet më të spikatura kohët e fundit nga radhët e saj, komentoi në A2 zhvillimet e papritura të ditës së sotme me emërimet në Qeveri dhe vendimet e para të organeve si KLGJ dhe KLP.

Bardhi, që ka qenë edhe ministër teknik i përkohshëm i Qeverisë Rama pas marrëveshjes së 17 majit me Lulëzim Bashën, thotë që tentativa është e dështuar sepse “koka e problemit ka mbetur, dhe është Edi Rama”.

Shkarkimin e disa ministrave si Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj, që ai cilëson që “janë provuar si të korruptuar janë tentativë e Ramës për të thënë që nuk ishte në dijeni”.

Duke nënvizuar që Qeverisë “ i ka mbaruar mandati”, Bardhi ironizon emërimet si anonimë, në mënyrë që “ministritë e ndryshme ti drejtojë personalisht Rama”.

Duke iu referuar ditëve të para të KLGJ dhe KLP, Bardhi nënvizoi që vendimet e para janë në linjë me pritshmëritë e Partisë Demokratike. Dhe nuk është një kompliment. “Emërimet janë individë që nuk mbushin kriteret për të qenë anëtarë. Kryetarja e KLGJ nuk përmbush kriterin e funksioneve në kuadër të shoqërisë civile 5 vitet e fundit , ka qenë disa muaj para reformës këshilltare e Gjykatës së Lartë dhe është dorëhequr për ti shpëtuar Vettingut”, thotë Bardhi.

Mendimet janë edhe më të ashpra për kreun e KLP-së, zotin Gent Ibrahimi, “Nuk ka qenë 5 vitet e fundit pedagog në Shkollën e Magjistraturës, siç kërkojnë kriteret. Për më shumë ka qenë ekspert i caktuar nga Qeveria për reformën në drejtësi, dhe është në konflikt interesi”.

Dhe tregohet i sinqertë kur shton, “është sikur të më kishin vënë mua në krye të KLP, jam i besueshëm unë për pavarësi politike? Sigurisht që jo”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN