Rama: Leku nuk ka qenë kurrë më i fortë se sa sot

Duke u ndalur te gjendja ekonomike në Shqipëri, në fjalën e tij në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, Kryeministri Rama renditi disa nga statistikat që sipas tij tregojnë përmirësim të ndjeshëm.

“Sot biznesi paguan mesatarisht 5% taksa, dikur paguante 10%. Ndërsa leku nuk ka qenë asnjëherë më i fortë se sa sot”, tha Rama. “Konsumi është rritur dhe nuk mund të thotë askush që ndodh nga kanabisi. Në tremujorin e tretë të këtij viti në Shqipëri janë regjistruar si të punësuar 262 000 vetë më shumë të punësuar se në tremujorin e parë të vitit 2014”.

Duke iu referuar shifrave të Bankës së Shqipërisë, Rama tha se nën qeverisjen socialiste jetesa është përmirësuar për shtresën e ulët dhe të mesme të shoqërisë. “Inflacioni jo më shumë se 2% ka pasur ndikimin më të ulët te shtresat e varfra”, tha Kryeministri. “Depozitat e vogla kanë peshën më të madhe të totalit të depozitave, ndërsa 100 kompanitë më të mëdha paguajnë më shumë taksa se sa dje dhe pesha e tyre në kontributin në buxhet është më e madhe”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN