Vrasja në Laprakë, arrestohet një person

Policia ka arrestuar një person që dyshohet se ka ndihmuar autorin e atentatit të ndodhur dy ditë më parë në zonën e Laprakës, ku humbi jetën 17-vjeçarja Briselda Gjikolaj, ndërsa mbeti i plagosur 23-vjeçari Erjon Benga.

Bëhet fjalë për shtetasin Ronald Muzhaqi, 19 vjeç, i cili akuzohet për përkrahje të autorit të krimit për t’u larguar. Identifikimi i tij është bërë për shkak të kamerave të sigurisë që ndodheshin në zonën ku ndodhi edhe ngjarja e rëndë.

Policia vazhdon të tregohet e rezervuar për të dhënë detaje të tjera në lidhje me vrasësin i cili vazhdon të mbetet në arrati. Emri i tij nuk bëhet ende i ditur ndërsa policia po vijon punën për kapjen e tij, pasi e ka identifikuar atë.

Ngjarja dyshohet se ka lidhje me një konflikt banal mes autorit dhe 23-vjecarit Benga, i cili mbeti i plagosur.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN