PS mbyll axhendën e 2018 me kryesinë, deri më 21 janar emrat për kryetarët e komisioneve

Përfundoi pak çaste më parë mbledhja e kryesisë të Partisë Socialiste. Burime nga mbledhja thonë për A2 CNN se u diskutuan ndryshimet në qeveri të një dite më parë.

Kryeministri Edi Rama i ka lënë porosi kryesisë për të zgjedhur zëvendësuesit e atyre që u emëruan si ministra duke u larguar nga komisionet parlamentare.

Burimet tregojnë që në vend të Erjon Braçes, i emëruar zëvendëskryeministër, në komisionin e ekonomisë mundet të jetë edhe ish ministri Arben Ahmetaj. Një tjetër kandidat i mundshëm duket edhe Ervin Bushati.

Ndërkohë janë krijuar dhe dy vakanca të tjera, te komisioni i veprimtarive prodhuese me largimin e Eduart Shalsit dhe komisionit të integrimit me Bledi Çuçin.

Afati i fundit për të gjetur emrat e rinj është 21 janari, përpara seancës së parë të sesionit të ri parlamentar. Afatet janë afruar me një jave, për shkak të afrimit të kongresit të PS që do të zhvillohet nga 30 marsi në 23 mars.

PS do të rindezë motorët më 4 janar, 180 ditë larg zgjedhjeve të  qershorit.

Shkarkoni aplikacionin e A2